Elon Musk premton dy aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA, donacioni kap 18 miliardë dollarë

Elon Musk premton dy aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA, donacioni kap 18 miliardë dollarë

Written by

in

Elon Musk premton dy aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA, donacioni kap 18 miliardë dollarë

Elon Musk ka bërë të ditur një nismë të pazakontë, duke premtuar dhurimin e nga dy aksione të kompanisë SpaceX për çdo fëmijë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vlera e përgjithshme e këtij donacioni vlerësohet në rreth 18 miliardë dollarë, raportoi Reuters.

Përmes një postimi në platformën X, miliarderi amerikan njoftoi se njëri prej aksioneve do të sigurohet nga vetë kompania SpaceX, ndërsa tjetrin do ta dhurojë nga pasuria e tij personale.

“Çdo fëmijë në Amerikë do të marrë dy aksione të SpaceX, një nga kompania dhe një nga unë personalisht”, shkroi Musk.

Ky njoftim erdhi pasi SpaceX bëri të ditur se do të emetojë aksione të reja, të cilat do t’u ndahen fëmijëve që kanë llogari aktive në kuadër të programit të njohur si “Trump Accounts”. Krahas kontributit të kompanisë, Musk u zotua se do të dhurojë edhe nga një aksion personal për secilin prej përfituesve.

Programi “Trump Accounts” synon t’u mundësojë amerikanëve nën moshën 18-vjeçare qasje në tregjet financiare dhe mundësinë për të filluar ndërtimin e pasurisë që në moshë të hershme. Sipas të dhënave të publikuara nga Shtëpia e Bardhë në tetor, deri atëherë ishin hapur rreth 70 milionë llogari të tilla.

Sipas përllogaritjeve, aksionet e SpaceX u mbyllën të mërkurën me vlerë prej 127.44 dollarësh për aksion. Kështu, dy aksionet që do t’i përfitonte secili fëmijë do të kishin vlerë prej 254.88 dollarësh, ndërsa shuma e përgjithshme e nismës arrin në rreth 18 miliardë dollarë.

Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura të gjitha hollësitë rreth mënyrës së shpërndarjes së aksioneve dhe nëse përfituesit do të përballen me kufizime sa i përket shitjes së tyre. As SpaceX nuk ka dhënë ende sqarime për mënyrën se si do të administrohet donacioni personal i Musk.

Përveç aspektit filantropik, nisma pritet të krijojë një bazë të gjerë aksionarësh të rinj të kompanisë, të cilët mund t’i mbajnë investimet e tyre për një periudhë afatgjatë.

Christopher Brankin, konsulent i tregjeve ndërkombëtare pranë Mitrade Group, vlerësoi se kjo iniciativë mund të krijojë një grup të madh investitorësh të rinj, duke u ofruar atyre mundësinë të njihen më herët me tregjet financiare dhe platformat e investimit.

Pasuria e Elon Musk vlerësohet në rreth 824 miliardë dollarë. Miliarderi amerikan kishte paralajmëruar edhe muajin e kaluar se synonte t’i dhuronte nga një aksion të SpaceX secilit fëmijë në SHBA, duke e cilësuar këtë si nismën e parë në një seri donacionesh të ngjashme.

Një pjesë e madhe e aktiviteteve të tij filantropike realizohen përmes Fondacionit Musk, i cili, sipas raportimeve, zotëron asete me vlerë mbi 14 miliardë dollarë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali