
Të paktën 300 shkolla në Itali janë evakuuar të mërkurën, pas pranimit të emaileve kërcënuese ku pretendohej se në secilën ndërtesë ishte vendosur një bombë. Nxënësit dhe personeli arsimor janë nxjerrë nga objektet, ndërsa policia ka kryer kontrolle për të verifikuar kërcënimet.
Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka bërë të ditur për televizionin “La7” se deri më tani janë prekur rreth 300 shkolla, por paralajmëroi se ky numër mund të rritet, raporton Reuters.
Sipas raportimeve, alarmet janë regjistruar në disa pjesë të vendit, nga veriu deri në jug, përfshirë provincat e Milanos, Bresças, Padovës, Triestes, Modenës, Romës, Frosinones, Rietit, Potenzës, Lecces, Palermos dhe Sirakuzës.
Një shkollë në Romë u ka njoftuar prindërve se të gjithë nxënësit ishin dërguar në një vend të sigurt dhe se po qëndronin nën kujdesin e mësimdhënësve. Deri më tani, autoritetet nuk kanë njoftuar për gjetjen e ndonjë mjeti shpërthyes, shkruan Reuters.
Çfarë përmbante emaili kërcënues?
Mesazhi ishte nënshkruar nga një person që prezantohej si “Mikhail Andropov”, udhëheqës i një organizate të quajtur “Vilajeti i Misoginistanit”.
Në email pretendohej se në secilën ndërtesë shkollore ishte vendosur, brenda një qeseje plastike, një mjet shpërthyes i fuqishëm që mund të aktivizohej nga distanca. Mesazhi përmbante gjithashtu kërcënime për “gjenocid kundër italianëve” dhe pretendimin se një bombë ishte vendosur edhe në veturën e kryeministres italiane, sipas raportimit të Sky TG24.
Megjithatë, deri më tani nuk ka informacione zyrtare që e lidhin emrin e përdorur në email me ndonjë person apo grup real.
Nuk është hera e parë që shkollat marrin kërcënime të tilla
Disa ditë më parë, një email i ngjashëm u ishte dërguar rreth 200 drejtorëve të shkollave në Itali.
Rasti i fundit vjen në një periudhë kur vendet evropiane janë përballur edhe me kërcënime të rreme për bomba ndaj fluturimeve dhe sulme kibernetike ndaj frigoriferëve të supermarketeve.
Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, ka folur për një strategji që mund të jetë e lidhur me kërcënimet dhe sulmet e fundit, por ka thënë se është e vështirë të përcaktohet se kush qëndron pas tyre. Ai bëri të ditur se shërbimet e inteligjencës po punojnë për zbardhjen e rasteve, ndërsa çështja do të hetohet edhe nga prokuroria.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, tha se këto kërcënime synojnë të përhapin frikë, duke theksuar se policia po punon për të dalluar kërcënimet serioze nga ato të personave që bëjnë pretendime të pabazuara.
Edhe shkollat në Britani morën emaile kërcënuese
Të mërkurën, emaile kërcënuese kanë pranuar edhe shkolla në Skoci dhe në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar.
Policia e Skocisë njoftoi se këto mesazhe po trajtohen si kërcënime të rreme dhe se, sipas vlerësimit të saj, nuk paraqesin rrezik të besueshëm. Autoritetet theksuan se shkollat nuk kanë nevojë të evakuohen vetëm për shkak të këtyre emaileve.
Megjithatë, disa shkolla në Perth and Kinross, Fife dhe Inverclyde janë evakuuar, raporton STV News.
Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar se emailet e pranuara në Itali dhe në Britani janë dërguar nga i njëjti person apo grup.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali