Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje vendeve të botës islame që të ndërmarrin hapa më konkretë për të shtuar presionin ndaj Izraelit dhe për të rritur ndihmat humanitare për popullsinë në Gaza, në prag të përkeqësimit të kushteve atmosferike gjatë dimrit.
Erdogan ka theksuar se bota islame duhet të bëjë një vetëkritikë serioze për mënyrën se si po reagon ndaj situatës në territoret palestineze, duke vënë në dukje se vendet myslimane nuk duhet të mbështeten vetëm te veprimet e shteteve të tjera.
Sipas tij, është e nevojshme që shtetet me shumicë myslimane të marrin më shumë përgjegjësi dhe të ndërmarrin veprime të përbashkëta për të ushtruar presion më të madh ndaj Izraelit.
“Besoj se bota islame duhet të reflektojë seriozisht mbi veprimet e saj. Në vend që të presim që të tjerët të veprojnë, ne si myslimanë duhet të marrim iniciativa konkrete dhe të shtojmë presionin ndaj Izraelit”, ka deklaruar Erdogan.
Ai gjithashtu ka vënë theksin te nevoja urgjente për shtimin e ndihmave humanitare për Gazën, ku popullsia vazhdon të përballet me kushte të vështira jetese dhe mungesë të burimeve të domosdoshme.
Presidenti turk ka paralajmëruar se përkeqësimi i kushteve atmosferike gjatë dimrit mund ta rëndojë edhe më shumë gjendjen e banorëve, ndaj ka kërkuar që përpjekjet për dërgimin e ndihmave të intensifikohen pa vonesa.
“Si botë islame, duhet të bëjmë përpjekje më të mëdha për të dërguar më shumë ndihma humanitare në Gaza, përpara se kushtet e dimrit të bëhen edhe më të ashpra”, ka thënë Erdogan. /Telegrafi/