Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar se si pasojë e erërave të forta janë rrëzuar disa shtylla elektrike të tensionit të lartë në rrugën e fshatit Dardhishtë, duke lënë të gjithë zonën pa energji elektrike.
Sipas njoftimit, anëtarët e kësaj shoqate, së bashku me disa banorë të zonës, janë angazhuar në vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese dhe marrjen e masave mbrojtëse, me qëllim të parandalimit të incidenteve të mundshme.
Deri në arritjen e institucioneve përgjegjëse, pjesëtarët e shoqatës janë kujdesur për sigurinë e qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në trafik.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve në vijim, veçanërisht në zonat ku po fryjnë erëra të forta.
Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar që të shmangin qarkullimin deri në orët e mëngjesit, për aq kohë sa kushtet atmosferike paraqesin rrezik për sigurinë e tyre. /Telegrafi/