
Erërat e fuqishme që përfshinë Ferizajn gjatë mbrëmjes së kaluar kanë shkaktuar dëme në disa objekte shkollore e sportive, hapësira publike, biznese dhe ekonomi familjare.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur se ekipet emergjente kanë dalë në terren që nga mbrëmja e së enjtes për të evidentuar dëmet dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për sanimin e tyre.
Aliu ka njoftuar se sot, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës dhe drejtorin e Arsimit, ka vizituar disa nga lokacionet e prekura për të parë nga afër pasojat e erërave.
Ai ka bërë të ditur se Komuna do të përgatisë një raport për dëmet e shkaktuara, të cilin do ta përcjellë te niveli qeveritar, duke kërkuar mbështetje financiare për kompensimin e subjekteve të prekura.
“Dëmet janë evidentuar në disa objekte shkollore e sportive, në hapësira publike e në biznese dhe ekonomi familjare. Komuna do të përgatisë raportin për dëmet e shkaktuara nga erërat e fuqishme dhe për të njëjtën do të kërkoj edhe mbështetjen e nivelit qeveritar për të kompensuar subjektet e prekura”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Burimi: Insajderi