Aktori Eric Dane, i cili u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare, kishte vënë re shenjat e para të sëmundjes së sklerozës laterale amiotrofike (ALS) gati një vit para se të diagnostikohej.
Në kujtimet e tij, që do të publikohen më 3 nëntor me titullin My Book of Days: A Memoir of Moments, ai rrëfen momentin kur kuptoi se diçka nuk shkonte.
Gjatë një darke me vajzat e tij, Billie dhe Georgia, aktori po hante sushi kur papritur pati vështirësi të përdorte shkopinjtë me dorën e djathtë, shkruan DailyMail.
Ai ndjeu shpim dhe mpirje në gishta, por fillimisht mendoi se mund të ishte një problem nervor i shkaktuar nga përdorimi i tepërt i telefonit.
Rreth tri javë më vonë, simptoma u përsërit, këtë herë më e rëndë. Dane tregoi në libër se nuk arrinte më t’i mbante shkopinjtë, duke nisur kështu një periudhë nëntëmujore kërkimesh për të kuptuar shkakun e problemit, deri në diagnostikimin me ALS.
Bashkëshortja e tij, Rebecca Gayheart, tregoi se fillimisht ai kishte hezituar të shkruante kujtimet, veçanërisht për shkak të vështirësive që kishte kaluar me varësinë.
Megjithatë, ajo shprehu mirënjohje që ai e përfundoi librin, pasi vajzat e tyre do të kenë mundësinë ta njohin të atin edhe përmes përvojave dhe mendimeve të tij personale.
Dane dhe Gayheart u martuan në tetor të vitit 2004, u ndanë në shtator të vitit 2017 dhe anuluan procedurat e divorcit në mars të vitit 2025. Një muaj më vonë, aktori bëri publik diagnostikimin me ALS. /Telegrafi/