Estonia ka njoftuar se do t’i mbyllë pikat e kalimit kufitar me Rusinë nga 1 dhjetori, pasi akuzoi Moskën për përfshirje në një tentativë zjarrvënieje në një fabrikë të prodhimit të dronëve.
Kryeministri estonez, Kristen Michal, deklaroi se hyrja me forcë në objektin industrial, të shtunën, në veri të kryeqytetit Talin, ishte pjesë e asaj që ai e cilësoi si “luftë hibride më të gjerë të Rusisë kundër Evropës”.
Sipas Michal, personat e dyshuar për sulmin janë arrestuar, ndërsa mediat lokale raportojnë se ata janë shtetas letonezë.
Të dyshuarit dyshohet se kishin hyrë në fabrikë dhe kishin tentuar t’i vinin zjarrin duke përdorur lëndë të ndezshme, transmeton Telegrafi.
Moska i ka hedhur poshtë këto akuza. Të hënën, autoritetet ruse i cilësuan ato si “të pabaza”, ndërsa akuzuan qeverinë estoneze se po ndërton një “mur” mes dy vendeve fqinje.
Objekti i shënjestruar operohet nga kompania Threod Systems, e cila prodhon dronë sulmues dhe zbulues. Në faqen e saj zyrtare, kompania rendit Ukrainën dhe disa vende anëtare të NATO-s mes klientëve të saj.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, deklaroi të dielën se “mbyllja e pikave kufitare do të zvogëlojë mundësinë e Rusisë për të kryer veprimtari armiqësore në Estoni”.
Ndërkaq, kryeministri Michal tha se falë masave të shtuara të sigurisë në fabrikë ishte shmangur “një dëm i konsiderueshëm”. Kreu i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë e cilësoi incidentin si një tentativë sabotimi rus.
Vendimi për mbylljen e pikave kufitare pritet të finalizohet javën e ardhshme, raportojnë mediat lokale.
Estonia ndan me Rusinë një kufi prej rreth 338 kilometrash, i cili shtrihet në pjesë tokësore dhe detare. Aktualisht funksionojnë tri pika të kalimit rrugor, por ato tashmë u nënshtrohen kufizimeve.
Njëra prej tyre ndodhet në Narva, qytetin e tretë më të madh të Estonisë. Qyteti shtrihet në bregun perëndimor të lumit Narva, i cili derdhet në Detin Baltik, ndërsa në bregun lindor ndodhet territori rus.
Mbyllja e pikave kufitare pritet të vështirësojë jetën e familjeve që jetojnë në të dyja anët e kufirit dhe që kanë lidhje të rregullta mes tyre.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, reagoi ndaj vendimit të Estonisë duke thënë se vendi po ndërton një mur mes dy shteteve.
“Estonia po ndërton një mur. Siç tregon historia, shumë vende kanë ndërtuar mure që nuk u kanë sjellë asgjë të mirë atyre që i kanë ngritur”, deklaroi Peskov.
Udhëheqësit evropianë e kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë për shënjestrimin e infrastrukturës kombëtare dhe burimeve të destinuara për Ukrainën, që nga nisja e pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
Edhe udhëheqësit e vendeve baltike kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për sulme hibride ruse dhe për ambiciet territoriale të Kremlinit.
Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia, ndër mbështetësit kryesorë evropianë të Ukrainës, kanë deklaruar gjithashtu gjatë muajve të fundit se Rusia ka organizuar sulme në territoret e tyre.
Vitin e kaluar, gjashtë persona u dënuan me burg në Mbretërinë e Bashkuar për një zjarrvënie të lidhur me Rusinë në një depo në Londër, ku ruheshin ndihma të destinuara për Ukrainën. /Telegrafi/