Estonia mbyll 5 pikat kufitare me Rusinë

Estonia mbyll 5 pikat kufitare me Rusinë

Written by

in

Estonia mbyll 5 pikat kufitare me Rusinë

Estonia ka miratuar zyrtarisht mbylljen e të gjitha pikave të kalimit rrugor në kufirin me Rusinë, duke nisur nga 1 dhjetori 2026. Vendimi i qeverisë estoneze, i marrë më 20 nëntor, vjen pas një tentative për t’i vënë zjarrin një objekti të industrisë së mbrojtjes pranë kryeqytetit Talin, për të cilën autoritetet estoneze akuzojnë inteligjencën ushtarake ruse.

Mbyllja e kufirit ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, por tashmë është kthyer në vendim zyrtar. Pesë pikat kufitare, Narva-1, Narva-2, Koidula, Luhamaa dhe Saatse, do të mbyllen për qarkullimin rrugor, ndërsa transporti hekurudhor nuk do të preket. Qeveria ka njoftuar se vendimi mund të rishikohet pas gjashtë muajsh.

Autoritetet estoneze e kanë cilësuar masën si një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme armiqësore të Rusisë kundër Estonisë dhe vendeve të tjera evropiane.

“Nuk do ta lejojmë Rusinë të përdorë hapjen tonë kundër nesh”, deklaroi kryeministri estonez Kristen Michal.

Vendimi lidhet drejtpërdrejt me ngjarjen e natës së 14 nëntorit, kur persona të paidentifikuar tentuan t’i vinin zjarrin një objekti të kompanisë Threod Systems, në Viimsi, pranë Talinit. Kompania vepron në industrinë e mbrojtjes, ndërsa nga tentativa e zjarrvënies nuk pati dëme në prodhim apo në produktet e saj.

Policia ka ndaluar tetë persona nga Letonia në lidhje me ngjarjen.

Sipas autoriteteve estoneze, sulmi ishte urdhëruar nga GRU-ja, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë. Shërbimi i Sigurisë së Brendshme i Estonisë ka deklaruar se ky ishte sulmi i dytë ndaj kompanive estoneze të mbrojtjes gjatë vitit 2026 dhe se të dy operacionet ishin autorizuar nga shërbimet ruse të sigurisë.

Pas këtij incidenti, të dielën, më 15 nëntor, ministri i Jashtëm Margus Tsahkna njoftoi se Estonia po shqyrtonte mbylljen e kufirit me Rusinë, ndonëse pati shumë thirrje që autoritetet të mos vepronin nën ndikimin e emocioneve.

Kjo nuk është hera e parë që qarkullimi mes Estonisë dhe Rusisë kufizohet në mënyrë të tillë. Në shkurt të vitit 2024, Rusia pezulloi kalimin e automjeteve në pikën kufitare të Narvës, megjithëse këmbësorët vazhdonin të lejoheshin të kalonin.

Estonia nuk është vendi i parë i Bashkimit Evropian që ndërmerr një hap të tillë ndaj Rusisë. Finlanda e mbylli kufirin e saj tokësor me Rusinë në dhjetor 2023, ndërsa Letonia, Lituania dhe Polonia kanë vendosur kufizime të konsiderueshme në pikat e tyre kufitare lindore gjatë viteve të fundit.

Nga ana tjetër, Moska i ka mohuar akuzat për përfshirje në operacionet e sabotimit. Ministria e Jashtme ruse e ka dënuar vendimin e Estonisë, duke e cilësuar atë si shprehje të “rusofobisë”.

Pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë, vendimi i Talinit mbetet në fuqi dhe mbyllja e pikave kufitare është planifikuar të nisë më 1 dhjetor, me mundësinë e një rishikimi pas gjashtë muajsh.

Burimi: Insajderi