Familja Kennedy padit administratën Trump për të ndalur ndërtimin e harkut triumfal pranë varrezave të Arlingtonit

Familja Kennedy padit administratën Trump për të ndalur ndërtimin e harkut triumfal pranë varrezave të Arlingtonit

Written by

in

Familjarë të ish-presidentit amerikan John F. Kennedy kanë ngritur padi për të penguar ndërtimin e një harku triumfal që presidenti Donald Trump planifikon ta ndërtojë në kryeqytetin amerikan.

Nëntë anëtarë të familjes Kennedy argumentojnë se struktura, e cila pritet të jetë 76 metra e lartë, do të pengojë pamjen drejt varrit të ish-presidentit, si dhe drejt varreve të mijëra veteranëve të varrosur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, në Virxhinia.

Javën e kaluar, një gjykatës amerikan e pezulloi përkohësisht projektin, pas një votimi që kishte lejuar vazhdimin e procedurave për ndërtimin e tij, transmeton Telegrafi.

Shtëpia e Bardhë e cilësoi si “të pafat” përfshirjen e disa anëtarëve të familjes Kennedy në padinë kundër një harku që, sipas saj, synon të nderojë heronjtë e varrosur në Arlington.

“Gjyqësori nuk duhet të keqpërdoret për ta politizuar një strukturë të projektuar për ta bashkuar kombin tonë”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis R. Ingle, në një reagim për BBC-në.

Ai shtoi se administrata do të vazhdojë ta mbrojë projektin, të cilin e cilësoi si një monument të bukur dhe të përshtatshëm, duke shprehur bindjen se do të dalë e justifikuar gjatë procesit gjyqësor.

Projekti kishte marrë miratimin e Komisionit Kombëtar të Planifikimit të Kryeqytetit javën e kaluar. Megjithatë, gjyqtarja federale Tanya Chutkan vendosi më pas një pezullim 14-ditor, gjatë të cilit nuk mund të nisin punimet, derisa të shqyrtohen paditë.

Familjarët e Kennedy-t iu bashkuan një padie të përbashkët të ngritur nga shteti i Virxhinias dhe Distrikti i Kolumbias, për të kundërshtuar ndërtimin e harkut. Ata argumentojnë se vendosja e tij në hyrje të varrezave do të dëmtonte pamjet historike drejt varreve dhe memorialeve.

Në mesin e paditësve janë shtatë fëmijë të Robert dhe Ethel Kennedy, nipi i tyre Joe Kennedy, ish-kongresmen demokrat, si dhe Edward Kennedy Jr., djali i Ted Kennedy-t.

Në padi nuk është përfshirë Robert F. Kennedy Jr., i cili është pjesë e kabinetit të Trumpit dhe drejton Departamentin amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.

Familjarët kanë kërkuar të përfshihen edhe në dy procese të tjera gjyqësore, të ngritura nga organizata për mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe grupe veteranësh, të cilat synojnë ndalimin e projektit.

Sipas tyre, ndërtimi i harkut do të përbënte një “cenim të përhershëm” të varrezave. Ata argumentojnë se pas realizimit të projektit nuk do të mund t’i shijonin më pamjet drejt dy lokacioneve ashtu siç kanë bërë deri më tani dhe siç ka synuar gjithmonë familja Kennedy.

Në ankesën e tyre thuhet se struktura do të krijonte hije të përhershme dhe do të dëmtonte pamjet historike drejt varreve dhe memorialeve të ngritura në nder të familjes Kennedy.

Sipas familjarëve, harku do të ndryshonte rrënjësisht edhe përvojën e vizitorëve në varreza, përfshirë ata që vizitojnë memorialet kushtuar qindra mijëra veteranëve amerikanë.

Padia pretendon gjithashtu se Shërbimi i Parqeve Kombëtare dhe Departamenti i Brendshëm kanë autorizuar ndërtimin më 5 nëntor 2026, pa miratimin e nevojshëm të Kongresit amerikan.

Projekti, i njohur jozyrtarisht si “Harku i Trumpit”, është pjesë e përpjekjeve të presidentit për të ndryshuar pamjen e kryeqytetit amerikan. Ai synon të përkujtojë 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, Trump kishte shtuar gjithashtu emrin e tij në Qendrën Kennedy, një institucion i rëndësishëm kulturor në Washington, i emërtuar në nder të ish-presidentit John F. Kennedy.

Emri i Trumpit qëndroi në fasadën e institucionit për gjashtë muaj, derisa shtimi i tij u shpall i paligjshëm dhe u hoq. /Telegrafi/