Farage kërkon ndihmën e Le Penit për të bllokuar rikthimin e Britanisë në BE

Farage kërkon ndihmën e Le Penit për të bllokuar rikthimin e Britanisë në BE

Written by

in

Lideri i partisë britanike Reform UK, Nigel Farage, ka lënë të hapur mundësinë që t’i kërkojë lideres së së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, të bllokojë rikthimin e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian.

Farage deklaroi se Franca mund të shfrytëzojë mekanizmat e saj kushtetues për të penguar anëtarësimin e Britanisë në BE, në rast se në të ardhmen Londra vendos të kërkojë rikthimin në bllokun evropian.

Sipas tij, legjislacioni francez parasheh mundësinë e organizimit të një referendumi për pranimin e shteteve të reja në Bashkimin Evropian. Një alternativë tjetër është miratimi i anëtarësimit nga të dyja dhomat e Parlamentit francez, me shumicë prej tri të pestash.

Duke iu referuar mundësisë që Marine Le Pen ose Jordan Bardella të udhëheqin Francën pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, Farage tha se nuk pret që ata të mbështesin zgjerimin e Bashkimit Evropian.

I pyetur nëse do të përpiqej ta bindte Le Penin që të përdorte të drejtën e vetos ndaj rikthimit të Britanisë në BE, ai u përgjigj se një gjë e tillë është plotësisht e mundshme, shkruan politico.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur në Britani është rihapur debati për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka shprehur mbështetjen për forcimin e lidhjeve me Brukselin dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të vendit në BE.

Megjithatë, ai ka theksuar se një rikthim i tillë do të kërkonte një referendum të ri, pasi në votimin e vitit 2016, 52 për qind e britanikëve mbështetën largimin nga blloku evropian, proces që u bë i njohur si Brexit.

Farage, një nga figurat kryesore të fushatës për Brexit, kundërshton çdo përpjekje për rikthimin e Britanisë në BE pa një votim të ri të qytetarëve. Ai paralajmëroi se shpërfillja e rezultatit të referendumit të vitit 2016 mund të shkaktonte tensione dhe trazira në vend.

Ndërkohë, rikthimi i Britanisë në Bashkimin Evropian do të përballej me pengesa edhe në shtetet e tjera anëtare. Përveç Francës, edhe Belgjika kërkon miratime nga parlamentet e saj kombëtare dhe rajonale për çështje të tilla.

Britania u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian më 31 janar 2020, pas më shumë se tre vjetësh negociatash dhe përgatitjesh që pasuan referendumin e vitit 2016. /Telegrafi/