
Një person rreth 68 vjeç është lënduar pasi dyshohet se ka tentuar t’i vërë flakën vetes duke përdorur benzinë, në rrugën “Mehmet Begraca” në Ferizaj.
Rastin e ka konfirmuar për Klankosova.tv zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas tij, policia është njoftuar për rastin mbrëmë, rreth orës 20:10, ndërsa në vendin e ngjarjes ka konstatuar se familjarët e personit kishin arritur ta shuanin zjarrin.
“I lënduari është trajtuar fillimisht nga ekipet emergjente dhe më pas është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim të mëtejmë. Sipas informatave fillestare të policisë, gjendja e tij shëndetësore ishte stabile”, ka deklaruar Veseli për Klankosova.tv.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të rendit dhe hetuesit, të cilët po merren me sqarimin e rrethanave të rastit”, shtoi ai.