Fernandez në radarët e tri gjigantëve spanjollë, City kërkon 120 milionë euro

Fernandez në radarët e tri gjigantëve spanjollë, City kërkon 120 milionë euro

Written by

in

Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi po e monitorojnë situatën e mesfushorit argjentinas, i cili mund të jetë një nga emrat më të kërkuar në verën e vitit 2027.

Enzo Fernandez mund të jetë protagonist i një prej transferimeve të mëdha në verën e vitit 2027, pasi interesimi për shërbimet e tij po rritet.

Sipas gazetarit Ekrem Konur, Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi janë tri klubet spanjolle që po e përcjellin nga afër situatën e mesfushorit argjentinas.

Futbollisti 25-vjeçar vlerësohet rreth 120 milionë euro, shumë që mund ta vështirësojë realizimin e transferimit.

Manchester City e transferoi atë nga Chelsea më 1 shtator, për rreth 145 milionë euro, duke i ofruar kontratë deri në qershor të vitit 2031.

Real Madridi e sheh Fernandezin si një alternativë për përforcimin e mesfushës, sidomos pas largimit të Toni Kroosit dhe Luka Modricit.

Edhe Barcelona vlerëson aftësitë e tij në organizimin e lojës, ndërsa Atletico Madridi është një tjetër klub që po e monitoron situatën e argjentinasit.

Interesimi për të lidhet edhe me kontributin e tij ofensiv. Gjatë sezonit 2025/26, Fernandez realizoi 10 gola dhe dhuroi katër asistime në 36 paraqitje në Ligën Premier me fanellën e Chelseat.

Megjithatë, Manchester City nuk pritet ta ketë të lehtë të heqë dorë nga një futbollist për të cilin ka investuar një shumë kaq të madhe dhe që ka kontratë deri në vitin 2031.

Deri më tani nuk raportohet për ndonjë ofertë zyrtare, por vera e vitit 2027 mund ta rikthejë Fernandezin në qendër të vëmendjes së merkatos evropiane. /Telegrafi/