Festivali “Ikonat e Porsche-s” në Dubai tërheq 30 mijë vizitorë, ekspozohen mbi 1.000 vetura

Festivali “Ikonat e Porsche-s” në Dubai tërheq 30 mijë vizitorë, ekspozohen mbi 1.000 vetura

Written by

in

Festivali “Ikonat e Porsche-s” u rikthye në Dubai më 21 dhe 22 nëntor, duke tërhequr rreth 30 mijë vizitorë dhe mbi 1.000 vetura të markës gjermane Porsche.

Edicioni i gjashtë i festivalit u mbajt në një lokacion të ri, The Square Nad Al Sheba, ku përveç modeleve klasike, u prezantuan edhe vetura koncept dhe modele të rralla.

Një nga atraksionet kryesore ishte Porsche Mission S, e cila u prezantua për herë të parë para publikut në rajon.

Vetura koncept, e zbuluar në New York në tetor, ofron një pamje të asaj se si mund të duken superveturat sportive të së ardhmes.

Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe një Porsche 924 e vitit 1979, e restauruar dhe e përdorur gjatë eskortës policore për Mbretëreshën Elizabeth II dhe Princin Philip në vizitën e tyre të parë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në vitin 1979.

Në festival u ekspozua gjithashtu Porsche 911 Turbo S Sadu Edition, e frymëzuar nga tradita e endjes Al Sadu në Kuvajt, si dhe një Porsche e dekoruar me gurë dhe elemente shkëlqyese.

Përveç veturave, festivali përfshiu muzikë live, ekspozita arti, aktivitete për familje dhe prezantime të veturave legjendare të garave nga Muzeu Porsche në Gjermani, në kuadër të 75-vjetorit të motorsportit të markës.

“Ikonat e Porsche-s” është shndërruar në një nga festivalet më të mëdha automobilistike në rajon, duke bashkuar koleksionistë, pronarë dhe adhurues të markës nga vende të ndryshme të botës. /Telegrafi/