Fetoshi: Pa qartësi strategjike, rrezikojmë pasoja fatale

Fetoshi: Pa qartësi strategjike, rrezikojmë pasoja fatale

Written by

in

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka theksuar se kuptimi i dimensionit hibrid të konfliktit gjeopolitik është premisë për përcaktimin e saktë të interesave aktuale shqiptare në Ballkan.

Këto vlerësime Fetoshi i shprehu në Rrethin Liberal të Dardhës në Korçë gjatë sesionit “Gjeopolitika e re dhe ekonomia globale”, ku studiues, figura publike dhe sipërmarrës shqiptarë nga vendet e Ballkanit po diskutojnë sfidat e rendit liberal dhe implikimet e ndryshimeve gjeopolitike në hapësirën shqiptare.

“Sot lufta është më shumë se përplasje ushtarake, prandaj duhet ta kuptojmë se jemi në luftë. Nëse s’nisemi nga kjo premisë, nuk i definojmë dot interesat aktuale shqiptare në Ballkan”, tha Fetoshi.

Duke iu referuar koncepteve të “krizës së legjitimitetit” të Jürgen Habermasit dhe “krizës së përfaqësimit”, të trajtuar në veprën Post-Democracy të Colin Crouch-it, ai foli për shkëputjen e sistemit politik nga pritjet dhe nevojat reale të qytetarëve.

Megjithatë, sipas Fetoshit, përtej këtyre vështirësive të demokracisë, rreziqet kryesore me të cilat përballen sot shqiptarët lidhen me sigurinë.

Ai paralajmëroi për operacione hibride që synojnë destabilizimin dhe dobësimin e besimit në orientimin dhe përkatësinë euroatlantike të shqiptarëve.

Në këtë kontekst, Fetoshi kërkoi një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë civile, akademisë, bizneseve dhe politikës për ndërtimin e një përgjigjeje të përbashkët ndaj këtyre sfidave.

Sipas tij, kjo përgjigje duhet të mbështetet në qartësi strategjike dhe në forcimin e partneriteteve brenda përcaktimit euroatlantik.

“Çdo rrugë tjetër është gabim dhe me pasoja fatale për shqiptarët”, theksoi Fetoshi.

Burimi: Dukagjini