Rexhepi është njëri nga tre futbollistët e rinj të përfshirë në listën e përzgjedhësit Franco Foda për ndeshjet e nëntorit, së bashku me Bleon Kurtulusin dhe Lindrit Kamberin.
Megjithatë, ndryshe nga dy futbollistët e tjerë, për Rexhepin ende nuk është marrë konfirmimi i nevojshëm nga FIFA.
“Dokumentacionet janë kryer për Bleon Kurtulusin dhe Lindrit Kamberin, mirëpo jo për Enis Rexhepin. Jemi në pritje të përgjigjes së FIFA-s”, deklaroi Shala të hënën në konferencën për media.
Në të njëjtën konferencë, menaxheri i Kosovës konfirmoi edhe dy mungesa në skuadër. Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani nuk do të jenë në dispozicion për shkak të lëndimeve që kanë pësuar në klubet e tyre.
“Ka pak ndryshime në listë. Fatkeqësisht, do të mungojnë Erblin Osmani dhe Valmir Matoshi, të cilët kanë pësuar lëndime”, bëri të ditur ai.
Ndërkohë, një lajm pozitiv lidhet me Lumbardh Dellovën, i cili pritet t’i bashkohet grupit të Kombëtares. Megjithatë, fillimisht do t’i nënshtrohet testeve mjekësore për të vlerësuar gjendjen e tij fizike dhe mundësinë e aktivizimit.
Shala bëri të ditur se Dellova do të jetë në dispozicion vetëm nëse ekzaminimet konfirmojnë se është plotësisht i gatshëm.
Kombëtarja e Kosovës gjatë këtij muaji do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve. Fillimisht ndaj Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri”, më 14 nëntor, ndërsa më 17 nëntor do të përballet me Irlandën në udhëtim.
Burimi: RTKLive
