Në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt sot takimi hapës i procesit të hartimit të Agjendës Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030.
Fjalën kryesore në këtë takim e mbajti Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se gratë në Kosovë duhet t’i kërkojnë të drejtat që u takojnë me ligj. Megjithatë, sipas saj, vajzat dhe gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me padrejtësi të ndryshme në pothuajse të gjitha aspektet e jetës, ndonëse këto të drejta u garantohen me legjislacionin në fuqi.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se barazia gjinore duhet të jetë prioritet në Kosovë dhe se, me fillimin e procesit të hartimit të Agjendës Parlamentare 2027–2030, duhet të merren parasysh edhe përparimet që vendi ka shënuar në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave.
“Sot Republika e Kosovës e ka legjislacionin e avancuar. Pra, përveç që kemi Kushtetutën, e kemi Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, kemi edhe Konventën e Stambollit, si dhe rezolutën për zbatimin e Rezolutës 1325 të OKB-së (‘Gratë, Paqja dhe Siguria’)”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.
Duke vënë në pah nevojën për zbatimin e këtyre dokumenteve, Haxhiu tha se roli i Kuvendit në këtë drejtim është thelbësor.
“Unë, si Kryetare e Kuvendit, do të angazhohem maksimalisht, së bashku me komisionet parlamentare, që këto dokumente të gjejnë zbatim në shoqërinë tonë”, tha kryetarja Haxhiu gjatë fjalës së saj.
Ajo bëri të ditur se procesi i hartimit të kësaj agjende nuk do të mbështetet vetëm në raportet zyrtare, por edhe në konsultime të drejtpërdrejta në terren.
“Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor do të realizojmë vizita në shtatë qendrat rajonale të Kosovës për t’u takuar me organizatat lokale dhe strehimoret për viktimat e dhunës, gratë nga zonat rurale, gratë e komuniteteve joshumicë dhe gratë me aftësi të kufizuara, e në veçanti me gratë asambliste nëpër komuna, duke pasur parasysh rolin kyç të kuvendeve komunale në adresimin e dhunës ndaj grave dhe avancimin e barazisë gjinore”, tha Kryetarja Haxhiu.
Një fjalë përshëndetëse në këtë takim mbajti edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, njëherësh koordinatore nacionale për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna në familje.
Në adresimin e saj, Gërvalla tha se, në cilësinë e ministres së Drejtësisë, ka shtyrë përpara ndryshime fundamentale ligjore, me synim forcimin e kornizës ligjore, ashpërsimin e masave kundër dhunës në familje dhe femicidit, si dhe rritjen e llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.
Ajo prezantoi edhe statistikat për dhunën në familje, viktimat e së cilës janë kryesisht vajzat dhe gratë. Sipas saj, gjatë dhjetë muajve janë regjistruar 2 mijë e 361 raste të dhunës në familje, prej të cilave 171 viktima janë fëmijë. Po ashtu, ajo bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar tetë vrasje të grave në Kosovë.
Në këtë takim, fjalë rasti mbajti edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, Fatmire Kollçaku Mulhaxha, e cila vlerësoi se kjo agjendë do të shërbejë si mekanizëm kyç për monitorimin e zbatimit të ligjeve, si dhe për mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe agjencive të pavarura.
Ajo theksoi se komisioni që drejton do të jetë drejtpërdrejt i angazhuar në procesin konsultativ, në integrimin e perspektivës gjinore në buxhetin e shtetit dhe në adresimin e rekomandimeve që dalin nga terreni. Kjo, sipas saj, do të mundësojë që barazia gjinore dhe mbrojtja e grave nga dhuna të jenë prioritete të matshme në punën e Kuvendit.
Ndërkaq, kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Arieta Rexhepi, tha se deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jenë gjithmonë të gatshme të kontribuojnë në avancimin e barazisë gjinore dhe do të mbikëqyrin zbatimin në praktikë të ligjeve që kanë të bëjnë me dhunën.
Në takim ishin të ftuara edhe gra përfaqësuese të organizatave të ndryshme joqeveritare, të cilat paraqitën pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre lidhur me Agjendën Parlamentare 2027–2030.
Vlora Tuzi-Nushi, menaxhere e programit të UN Women në Kosovë, u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave dhe avancimin e barazisë gjinore do të sjellë rezultate konkrete.
Në diskutim morën pjesë edhe përfaqësuese të OJQ-ve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë, të cilat shprehën gatishmërinë e tyre për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në këtë proces.