Finlanda do të përballet me Shqipërinë të mërkurën në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në orën 20:45, në një ndeshje me rëndësi të madhe për renditjen në Grupin C1.
Dy rezultatet zhgënjyese ndaj Bjellorusisë në ndeshjet e fundit kanë vështirësuar dukshëm synimin e finlandezëve për t’u ngjitur në Ligën B. Ata renditen në vendin e tretë, ndërsa kanë edhe dy ndeshje deri në përfundim të garave në grup.
Megjithatë, finlandezët mund të marrin zemër nga fitorja 2:1 ndaj Shqipërisë në ndeshjen e parë, të zhvilluar në tetor. Në atë takim, kuqezinjtë mbetën me një futbollist më pak që në pjesën e parë, pas një kartoni të kuq.
Sulmuesi Oliver Antman, i cili mungoi në katër ndeshjet e para të kësaj gare për arsye familjare, është rikthyer në ekip për dy sfidat vendimtare. Ai ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të luajnë me guxim dhe të japin maksimumin në çdo situatë.
“Duhet të luajmë me guxim në sulm dhe në mbrojtje. Natyrisht, kemi planin tonë të lojës, të cilit duhet t’i përmbahemi, por secili duhet të japë njëqind për qind në çdo situatë dhe të luajë me guxim”, ka deklaruar Antman.
Edhe Naatan Skytta, i cili është rikthyer në Kombëtare pas një lëndimi, ka shprehur besimin se Finlanda mund të fitojë në Tiranë.
“Ne kemi ardhur këtu për të fituar dhe besoj fuqishëm se mund ta bëjmë këtë. Duhet t’u besojmë aftësive tona dhe të hyjmë në ndeshje me mendësi pozitive dhe energji. Do të luajmë me guxim”, ka thënë Skytta.
Ai ka paralajmëruar se Shqipëria pritet ta nisë ndeshjen me presion të lartë, duke u mbështetur edhe në atmosferën që pritet të krijohet në stadiumin “Air Albania”, ku parashihet të ketë interesim të madh të tifozëve.
Skytta ka theksuar se Finlanda duhet të jetë e përgatitur për presionin e vendasve dhe të tregojë përqendrim të veçantë në fazën e mbrojtjes.
Finlanda aktualisht renditet e treta në grup, pas Shqipërisë dhe Bjellorusisë, ndërsa vetëm fituesi i grupit siguron promovimin e drejtpërdrejtë në Ligën B. Ekipi që përfundon në vendin e dytë do të luajë në ndeshjet e “play-off” për promovim dhe mbijetesë.
Burimi: RTKLive
