Flakë, përplasje e tensione në Tiranë: Protestuesit sulmojnë objektet shtetërore dhe bizneset private

Flakë, përplasje e tensione në Tiranë: Protestuesit sulmojnë objektet shtetërore dhe bizneset private

Written by

in

Protesta studentore në Shqipëri ka hyrë në ditën e tretë, me bojkotimin e mësimit në gjimnaze dhe fakultete në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa pas përplasjeve, zjarreve dhe dëmeve materiale të së mërkurës, Policia e Shtetit ka ngritur shqetësimin për përfshirjen e të miturve në tubime.

Që në orët e para të së enjtes, nxënës dhe studentë i janë përgjigjur thirrjeve për protestë, ndërsa në kryeqytet ka nisur grumbullimi para Parlamentit.

Përveç bojkotimit të mësimit, zhvillimet e ditëve të fundit janë shoqëruar me skena dhune, vandalizëm dhe dëme ndaj institucioneve, bizneseve e pronës publike dhe private.

Në këtë situatë, Policia e Shtetit ka shprehur shqetësimin për pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protesta, duke thënë se në disa raste ata janë vendosur në vijën e parë të përplasjeve dhe janë ekspozuar ndaj sendeve të hedhura, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.

Përmes një deklarate, policia u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët dhe të sigurohen se ata nuk ndodhen në ambiente ku rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre.

“Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit. Në disa raste, fëmijët janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj akteve të dhunës, sendeve të forta të hedhura dhe mjeteve të përdorura nga Policia për menaxhimin e situatës”, thuhet në deklaratë.

Policia ka theksuar se e drejta për protestë nuk mund të përdoret si justifikim për akte dhune apo për ekspozimin e fëmijëve ndaj rreziqeve. Sipas saj, rastet e dyshuara të nxitjes, organizimit ose shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do t’u përcillen institucioneve kompetente.

“Përdorimi i fëmijëve si mburojë për akte dhune nuk është ushtrim i së drejtës për protestë. Është një veprim i papranueshëm që cenon sigurinë dhe të drejtat e tyre”, thuhet më tej në reagimin e policisë.

Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke kërkuar ndalimin e sulmeve ndaj punonjësve të policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.

Zhvillimet e fundit kanë vënë në pikëpyetje kufirin mes protestës qytetare dhe akteve të huliganizmit e vandalizmit, të cilat rrezikojnë sigurinë publike dhe dëmtojnë pronën. Ndërsa e drejta për të protestuar mbetet e garantuar, dhuna dhe shkatërrimi nuk mund të paraqiten si forma legjitime të shprehjes së pakënaqësisë.

Në anën tjetër, deputetët kanë anuluar seancën plenare të parashikuar për këtë të enjte, në një ditë kur vëmendja politike dhe publike në Shqipëri mbetet e përqendruar te protesta dhe pasojat e përplasjeve të fundit.

Kryeministri Edi Rama, pas protestës së së mërkurës, ka akuzuar opozitën se po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt Evropës, duke theksuar se vendi nuk do të kthehet pas.

Burimi: Dukagjini