Fluturoi nga Norvegjia për të kryer një vrasje në Britani, dënohet me 20 vjet burg

Fluturoi nga Norvegjia për të kryer një vrasje në Britani, dënohet me 20 vjet burg

Written by

in

Një 19-vjeçar nga Norvegjia është dënuar me 20 vjet burgim në Britani, pasi kishte udhëtuar drejt vendit për të kryer një vrasje, pas rekrutimit në internet nga një grup suedez i krimit të organizuar, i cili dyshohet se ka lidhje me Iranin.

Prokurorët britanikë thanë se Johannes Natland ishte rekrutuar nga rrjeti kriminal “Foxtrot”, i cili dyshohet se paguan të rinj për të kryer akte dhune në emër të klientëve. Sipas autoriteteve britanike, grupi ka lidhje me regjimin iranian.

Sipas prokurorëve, Natland nuk e kishte zbuluar identitetin e personit që kishte pranuar ta vriste në këmbim të një pagese prej rreth 28 mijë e 600 dollarësh.

Rrjeti “Foxtrot” është sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara për lidhjet e tij të dyshuara me qeverinë iraniane, raporton Reuters.

Rasti i Natlandit është një nga disa raste të viteve të fundit në Britani, ku të rinj janë gjykuar për vepra të rënda kriminale, pasi dyshohet se janë rekrutuar përmes internetit.

Autoritetet britanike kanë paralajmëruar se disa prej këtyre të rinjve mund të kenë vepruar pa e kuptuar se po shërbenin si përfaqësues të interesave të shteteve të huaja, përfshirë Iranin dhe Rusinë.

Sipas pretendimeve të Britanisë dhe SHBA-së, rrjeti “Foxtrot” dyshohet se qëndron pas disa vrasjeve në Evropë dhe sulmeve ndaj objektivave izraelite dhe hebraike në emër të Iranit. Teherani i ka mohuar këto akuza.

Burimi: Dukagjini