“Fqinjësi e mirë apo kontroll mbi Kosovën?”, Islami ngre pikëpyetje për kursin e ri politik të Serbisë

“Fqinjësi e mirë apo kontroll mbi Kosovën?”, Islami ngre pikëpyetje për kursin e ri politik të Serbisë

Written by

in

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka komentuar deklaratat e bartësit të Listës Studentore “Studentët Triumfojnë”, Ilija Sërdanoviq, i cili pritet të udhëheqë qeverinë e re të Serbisë, duke vlerësuar se premtimet e tij për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje mund të shënojnë një kthesë gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, Islami ka paralajmëruar se qëndrimet e Sërdanoviqit ndaj Kosovës mbeten testi kryesor për të vlerësuar nëse Serbia do të ndryshojë realisht kursin e saj politik dhe të sigurisë.

Sipas tij, deklaratat e Sërdanoviqit për t’u dhënë fund politikave që e kanë vendosur Serbinë në marrëdhënie armiqësore me fqinjët dhe për të intensifikuar dialogun rajonal janë inkurajuese, por duhet të shoqërohen me hapa konkretë.

“Nëse merren hapa konkretë dhe bëhen pjesë e programit qeveritar në Serbi, kjo mund të shënojë një kthesë gjeopolitike me rëndësi në fushën e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka vlerësuar Islami.

Ai ka theksuar se një qasje e tillë mund të ndikojë në uljen e tensioneve rajonale, duke zvogëluar rrezikun e konflikteve dhe duke i dhënë fund retorikës nacionaliste që, sipas tij, ka karakterizuar qeverisjen e Partisë Progresiste Serbe (SNS).

Islami konsideron se një Serbi me orientim të ri demokratik mund të bëhet partner më i besueshëm për NATO-n dhe Bashkimin Evropian, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, migracionit të paligjshëm dhe kërcënimeve hibride nga aktorët e jashtëm.

Megjithatë, ai ka ngritur shqetësime lidhur me atë që e cilëson si kundërthënie ndërmjet premtimeve për fqinjësi të mirë dhe qëndrimeve të shprehura gjatë fushatës zgjedhore për Kosovën.

“Testi i vërtetë i këtij premtimi për sigurinë mbetet Republika e Kosovës, ku ekziston një kontradiktë e hapur mes zotimit të tij për ‘fqinjësi të mirë’ dhe platformës së tij parazgjedhore për ‘vënie nën kontroll’ të Kosovës”, ka deklaruar Islami.

Sipas tij, nëse qeveria e re serbe pranon realitetin gjeopolitik dhe vazhdon dialogun paqësor, kjo do të kontribuonte në stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Në të kundërtën, ai paralajmëron se përpjekjet për të zbatuar premtimet radikale të fushatës mund të shkaktojnë një krizë serioze sigurie, duke përfshirë edhe mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, si Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in.

Islami ka përfunduar se ndryshimi i mundshëm i politikës së Beogradit nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes deklaratave, por mbi bazën e veprimeve konkrete të qeverisë së ardhshme.

“Reduktimi real i rreziqeve të sigurisë në rajon varet tërësisht nga zbatimi praktik i këtij kursi të ri, ku trajtimi i marrëdhënieve me Kosovën do të jetë vija ndarëse mes stabilitetit dhe një krize të re rajonale”, ka theksuar Islami./Telegrafi.