
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka avancuar kapacitetet e saj profesionale përmes organizimit të Kursit për Instruktorë, në bashkëpunim me ekipin SATMO të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kursi është zhvilluar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, përkatësisht në Shkollën e Nënoficerëve, ku pjesëmarrësit kanë përfunduar me sukses trajnimin dhe janë certifikuar si instruktorë.
Sipas njoftimit, trajnimi kishte për qëllim avancimin e aftësive pedagogjike dhe metodologjike të pjesëmarrësve, duke përfshirë planifikimin dhe organizimin e trajnimeve, hartimin e objektivave mësimore, përdorimin e metodave efektive të mësimdhënies dhe vlerësimin e performancës së kursantëve.
Përgjatë kursit, pjesëmarrësit kanë ndjekur ligjërata, ushtrime praktike dhe demonstrime, përmes të cilave kanë zbatuar njohuritë e fituara dhe kanë zhvilluar aftësitë për udhëheqjen profesionale të trajnimeve ushtarake.
Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes ka bërë të ditur se do të vazhdojë investimet në zhvillimin e kuadrove profesionale dhe ngritjen e cilësisë së trajnimeve, me synimin e forcimit të kapaciteteve institucionale dhe ndërtimit të një force të aftë, profesionale dhe të gatshme për përmbushjen e misionit të saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali