
Forca e Sigurisë së Kosovës ka reaguar lidhur me rastin e djeshëm, ku një pjesëtar i saj mbeti i lënduar gjatë ushtrimeve në poligon.
Sipas njoftimit të FSK-së, ushtarit i është ofruar menjëherë ndihma e parë mjekësore dhe ai po vazhdon të marrë trajtim, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është stabile, transmeton Klankosova.tv.
“Menjëherë pas incidentit, pjesëtarit i është ofruar ndihma e parë mjekësore, ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja shëndetësore e pjesëtarit është stabile. Rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ndërkaq, sipas raportimeve të mëhershme, ushtari dyshohet se u lëndua pasi municioni i cili po kryenin ushtrimet shpërtheu në armë.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër, kur një pjesëtar i FSK-së raportohet se lëndohet gjatë ushtrimeve si pasojë e shpërthimit të municionit.