Një dasmë e jashtëzakonshme në shtetin Bihar të Indisë ka tërhequr vëmendjen për shkak të numrit të madh të të ftuarve, luksit dhe skenave kaotike që shoqëruan organizimin e saj.
Politikani lokal Anant Singh kishte ftuar rreth 400 mijë persona në dasmën e vajzës së tij, ndërsa një video ku ai shihet duke i goditur disa mysafirë me shqelma është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Singh, i cili është zgjedhur gjashtë herë deputet në këtë shtet, organizoi ceremoninë në fshatin e tij të lindjes, Nadawan, në Bihar, një nga shtetet më të varfra të Indisë. Në mesin e të ftuarve ishin banorë të zonës, aleatë politikë dhe persona të njohur, raportojnë mediat.
Përmasat e organizimit ishin të jashtëzakonshme. Sipas raportimeve, për mysafirët ishin përgatitur rreth 500 mijë ëmbëlsira tradicionale dhe një festë ushqimore me gatime vegjetariane, të përgatitura nga rreth 500 kuzhinierë dhe ndihmës.
Numri i madh i pjesëmarrësve shkaktoi kaos në rrugët që çonin drejt vendit të ceremonisë. Kolonat e automjeteve bllokuan qarkullimin, ndërsa një politikan që nuk arriti të kalonte me veturë u detyrua ta linte atë dhe të vazhdonte rrugën me traktor nëpër fusha.
Në një moment, edhe vetë Anant Singh u përball me vështirësi për të kaluar nëpër turmën e njerëzve. Derisa po udhëtonte me veturë drejt vendit të dasmës, disa mysafirë ia bllokuan rrugën. Në pamjet që kanë qarkulluar, ai shihet duke i goditur disa prej tyre me këmbë, në përpjekje për t’i larguar nga rruga.
Festimet përfshinë edhe një garë kuajsh, në të cilën morën pjesë rreth 200 kuaj. Organizatorët u detyruan ta shtynin garën pasi rreth 100 mijë persona u mblodhën për ta ndjekur atë. Disa spektatorë u ngjitën edhe në pemë dhe shtylla elektrike për të parë më mirë garën.
Vëmendje të veçantë morën edhe dhuratat për dhëndrin, Rishikesh Kumar, i cili u martua me Shivangi Singh. Sipas raportimeve, atij iu dhurua një veturë luksoze Land Rover Defender, një zinxhir ari me peshë 100 gramë dhe një byzylyk ari prej 80 gramësh.
Nusja mbërriti në ceremoni me një BMW luksoze, ndërsa dhëndri udhëtoi në një kolonë prej rreth 200 veturash.
Anant Singh është një figurë kontroverse në politikën indiane. Ai përballet me dhjetëra raste penale, përfshirë akuza për vrasje, tentim vrasje, zhvatje dhe rrëmbim. Ai i ka mohuar akuzat për shkelje të ligjit.
India organizon më shumë se 10 milionë dasma çdo vit, ndërsa industria e lidhur me këto ceremoni vlerësohet të ketë një vlerë prej 40 deri në 50 miliardë dollarësh. /Telegrafi/