Futbollisti spanjoll i Tenerife-s, Jesus de Miguel, ka vdekur të martën në moshën 30-vjeçare, një ditë pasi pësoi arrest kardiak pas një përplasjeje gjatë ndeshjes ndaj Andorrës, ka njoftuar klubi spanjoll.
Tragjedia ndodhi të hënën, në ndeshjen mes Tenerife-s dhe Andorrës, e vlefshme për La Liga 2. Në minutat shtesë, kur rezultati ishte 2:2, De Miguel u nis drejt topit në përpjekje për të nisur një kundërsulm.
Portieri i Andorrës, Jesus Owono, doli larg portës për të ndërprerë aksionin dhe u përplas me sulmuesin e Tenerife-s. Në tentim për ta larguar topin, Owono ngriti këmbën dhe e goditi De Miguelin me gju, duke e rrëzuar në fushë pa ndjenja.
Futbollisti pësoi lëndime në kokë dhe në gjoks, ndërsa menjëherë iu ofrua ndihma mjekësore në fushë. Pas përplasjes, ai pësoi arrest kardiak.
Gjendja e tij u përkeqësua gjatë natës, ndërsa të martën në mëngjes u konfirmua vdekja e tij.
De Miguel ishte në sezonin e dytë me Tenerife-n. Gjatë karrierës së tij kishte luajtur edhe për skuadrat Castellón, Unionistas dhe Navalcarnero.
Burimi: Dukagjini
