Në një intervistë për BBC-në, Smith tha se kompanitë që zhvillojnë inteligjencë artificiale duhet të kenë detyrim ligjor të raportojnë incidentet dhe të njoftojnë personat e prekur në rastet kur sistemet e AI-së dalin jashtë kontrollit.
Ai kërkoi gjithashtu që kompanitë të kenë mekanizma emergjentë për ndalimin ose ngadalësimin e sistemeve kur ato paraqesin rrezik, si dhe propozoi që vlerësues të pavarur të kontrollojnë teknologjitë e reja përpara se ato të publikohen.
“Për momentin, makina juaj larëse u nënshtrohet më shumë rregullave të sigurisë sesa inteligjenca artificiale. Çdo kuti qumështi që shihni në dyqan u nënshtrohet rregullave të sigurisë dhe inspektimit”, tha Smith.
Ai vlerësoi se Mbretëria e Bashkuar është në pozitë të mirë për të udhëhequr përpjekjet për krijimin e rregullave ndërkombëtare për AI-në, duke përmendur kapacitetet e saj teknike në fushën e sigurisë së inteligjencës artificiale.
Qëndrimi i Smithit dallon nga ai i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka mbështetur vetërregullimin e sektorit, me argumentin se rregullat e tepërta mund t’i vendosin kompanitë amerikane në disavantazh ndaj konkurrencës kineze, raporton BBC.
Smith tha se marrëveshjet vullnetare të kompanive teknologjike për të kontrolluar sistemet e tyre janë një hap i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm.
“Kompanitë e mira do të bëjnë atë që dëshironi. Janë kompanitë që nuk janë aq të përgjegjshme për të cilat duhet të shqetësoheni”, tha ai.
Burimi: RTKLive
