Gareth Bale mund të rikthehet në futboll, por këtë herë jo si lojtar. Ish-ylli uellsian raportohet se është pjesë e një projekti investues që synon blerjen e klubit të madh spanjoll, Sevillas.
Pas një aventure trevjeçare në MLS me Los Angeles, Bale njoftoi pensionimin nga futbolli në vitin 2023, në moshën 33-vjeçare.
Që nga atëherë, ish-futbollisti i Real Madridit i është përkushtuar më shumë golfit, por duket se mund të përfshihet sërish në botën e futbollit, kësaj radhe në rolin e investitorit.
Sipas mediumit spanjoll El Confidencial, Bale është pjesë e njërit prej tri grupeve investuese që kanë shprehur interesim për blerjen e Sevillas.
Megjithatë, roli i uellsianit në këtë projekt raportohet të jetë vetëm këshillues, në kuadër të fondit amerikan të investimeve Juggernaut Capital Partners, përfaqësuesit e të cilit tashmë kanë zhvilluar bisedime me drejtuesit e klubit rreth një blerjeje të mundshme.
Sevilla, pavarësisht se është një prej klubeve më të suksesshme në historinë e Ligës së Evropës, ku ka triumfuar plot shtatë herë, po kalon një periudhë të vështirë.
Në katër sezonet e fundit, klubi andaluzian nuk ka arritur të përfundojë asnjëherë në gjysmën e sipërme të tabelës në La Liga. Situata ishte veçanërisht alarmante në edicionin 2024/25, kur Sevilla e mbylli kampionatin vetëm një pikë larg zonës së rënies nga liga.
Për këtë arsye, një investim i ri mund të jetë vendimtar për të ardhmen e klubit, i cili synon të rikthehet në mesin e skuadrave më konkurruese të futbollit spanjoll.
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Bale ishte përballur nëntë herë me Sevillan, duke regjistruar tri gola dhe gjashtë asistime në të gjitha garat.
Aktualisht, Sevilla renditet në pozitën e 13-të në La Liga dhe përgatitet për derbin lokal ndaj rivalit të madh, Real Betis./Telegrafi/