Gashi: Prokuroria ende s’e ka marrë në pyetje nënën e të dyshuarit, dëshmitare okulare e vrasjes së Arlinda Zekajt

Gashi: Prokuroria ende s’e ka marrë në pyetje nënën e të dyshuarit, dëshmitare okulare e vrasjes së Arlinda Zekajt

Written by

in

Gazetari Kreshnik Gashi ka thënë se Prokuroria Themelore në Pejë ende nuk e ka marrë në pyetje nënën e të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila, sipas tij, është dëshmitare okulare e rastit.

Në Debat Plus, Gashi ka kritikuar vonesën në marrjen në pyetje të saj, duke thënë se ajo nuk është intervistuar për katër ditë, deri në arrestimin e djalit të saj, të dyshuar për vrasjen.

Sipas Gashit, është e rëndësishme që dëshmitarët të merren në pyetje me kohë, veçanërisht në një rast të tillë emergjent, ku një nga arsyet e caktimit të paraburgimit është mundësia e ndikimit te dëshmitarët.

“Prokuroria e Pejës ende nuk e ka marrë në pyetje nënën e të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila është dëshmitare okulare e rastit. E kanë pasur gruan që e ka parë rastin, por nuk e kanë marrë në pyetje për katër ditë, deri në arrestimin e djalit të saj. E tani me i thënë hajde të marrim ne pyetje ndoshta ai nuk ka ndikuar ne ty”, ka deklaruar ai.

Gashi ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën e mbledhjes së provave në rastet e dhunës në familje, duke thënë se në shumë raste hetimet mbështeten kryesisht në deklaratat e palëve, pa u dokumentuar vendi i ngjarjes nga forenzika.

Ai ka përmendur rastin e Arlinda Zekajt, e cila kishte raportuar kur bashkëshorti i saj ia kishte hedhur rrobat nga makina e larjes, por policia nuk kishte kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe nuk kishte bërë fotografi për dokumentimin e provave.

“Provat po mbesin deklarata. Forenzika nuk thirret fare, dhe kjo nuk ndodh vetëm në këtë rast, por në shumicën e rasteve të dhunës në familje”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se një nga arsyet e përmendura është mundësia e ndikimit te dëshmitarët, ndërsa, sipas tij, dëshmitari i parë ende nuk është marrë në pyetje.

“Mënyra se si po trajtohen këto raste është skandaloze”, ka theksuar ai.

Burimi: Dukagjini