Gërvalla i bëri këto komente gjatë pjesëmarrjes në panelin e dytë të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, ku u diskutua mbrojtja e fëmijëve nga dhuna.
Ajo theksoi se legjislacioni penal duhet të përfshijë të gjitha format e shfrytëzimit seksual, përfshirë joshjen dhe manipulimin e fëmijëve përmes internetit, të njohur si “grooming”, si dhe prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve që paraqesin abuzimin seksual të fëmijëve.
“Legjislacioni penal duhet t’u përgjigjet të gjitha formave të shfrytëzimit seksual, përfshirë joshjen dhe manipulimin e fëmijëve përmes internetit, të njohur si ‘grooming’. Abuzuesit fitojnë besimin e fëmijëve dhe i manipulojnë gradualisht për t’i përgatitur për abuzim seksual. Nuk mund të presim që abuzimi të ndodhë për të ndërhyrë”, tha Gërvalla, duke theksuar nevojën për trajtim në përputhje me standardet e Konventës së Lanzarotes.
Ministrja veçoi edhe garancitë që ofron Kodi i Drejtësisë për të Mitur, përfshirë kufizimin e marrjes në pyetje të fëmijës viktimë në vetëm dy herë dhe përdorimin e deklaratave të regjistruara me video si prova.
Si fushë konkrete të bashkëpunimit rajonal, Gërvalla propozoi trajnime të përbashkëta për intervistimin e fëmijëve dhe përdorimin e dëshmive, me qëllim sigurimin e provave të besueshme dhe shmangien e ritraumatizimit të viktimave.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave të qasshëm të raportimit dhe bashkërendimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë, shërbimeve sociale dhe institucioneve shëndetësore.
“Përgjegjësia jonë është të sigurojmë që legjislacioni penal t’u përgjigjet metodave gjithnjë në ndryshim të abuzimit dhe që mbrojtja e fëmijëve të garantohet në praktikë. Për këtë, bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm”, tha Gërvalla.
Burimi: RTKLive
