Marrëveshja e propozuar synon uljen e çmimeve të larta të karburantit në SHBA përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, por ka nxitur reagime të ashpra në Kapitol.
Plani u njoftua nga vetë Presidenti Trump pas një telefonate me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Sipas marrëveshjes, Rusia pritet të dërgojë menjëherë mbi 300,000 ton naftë në tregun amerikan dhe atë global, të ndjekura nga 500,000 ton në nëntor dhe 1 milion ton të tjerë së shpejti, duke çuar përfundimisht dërgesat në mbi 3 milion ton.
Kundërshtimi dypartiak dhe pretendimet për shkelje të ligjit
Deklarata e përbashkët e protestës u nënshkrua nga katër senatorë republikanë — Susan Collins (Maine), Lisa Murkowski (Alaska), Thom Tillis (Karolina e Veriut) dhe John Curtis (Utah) — si dhe dy senatorë demokratë, Jeanne Shaheen (New Hampshire) dhe Richard Blumenthal (Connecticut).
Ligjvënësit theksojnë se administrata nuk u konsultua me Kongresin dhe se vendimi bie ndesh me ligjet ekzistuese që ndalojnë importin e energjisë ruse që nga viti 2022.
“Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i ofrojnë Putinit një litar shpëtimi financiar, ndërsa Rusia vazhdon të vrasë civilë ukrainas. Administrata duhet të ndryshojë menjëherë kursin. Kongresi ishte i qartë: SHBA-të nuk duhet të importojnë naftë nga Rusia derisa ajo të përfundojë agresionin e saj kundër Ukrainës,” deklaruan senatorët.
Gjatë një interviste në emisionin “Meet the Press” të NBC-së, senatori republikan Thom Tillis nënvizoi se egzistojnë arsye legjitime për të konsideruar se presidenti nuk po zbaton ligjin nëse e çon përpara këtë plan:
“Ne ishim shumë të qartë se Rusia është agresorja. Rusia është ajo që mund ta përfundojë këtë luftë duke u tërhequr nga territori që ka pushtuar.”
Kthimi i politikës dhe tensionet me vendimet e Kongresit
Kjo lëvizje e administratës vjen pak javë pasi Kongresi miratoi një projektligj që e udhëzon shtëpinë e Bardhë të vendosë tarifa të ashpra mbi eksportet energjetike ruse, me synim ndërprerjen e burimeve financiare që Moska përdor për të financuar luftën në Ukrainë.
Nga ana tjetër, mbrojtësit e lëvizjes së Trumpit nënvizojnë presionin mbi çmimet e energjisë. Senatori republikan John Barrasso (Wyoming), duke folur për CBS (“Face the Nation”), u shpreh se presidenti po përpiqet të ulë koston e jetesës për amerikanët:
“Presidenti po ekuilibron veten dhe duhet të marrë vendime të vështira. Kjo është vetëm një pikë tjetër ndikimi që presidenti mund ta përdorë kundër Putinit në një përpjekje për të arritur një zgjidhje afatgjatë.”
Përplasja politike në Uashington reflekton presionin në rritje mbi çmimet e karburantit në tregun amerikan, të cilat janë ndikuar nga situata e konfliktit me Iranin, duke i shtyrë autoritetet të kërkojnë balanca të reja furnizimi në këtë prag zgjedhjesh.
Burimi: RTKLive
