
Operacioni i gjerë antidrogë i koduar “Heshtja”, i zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, ka vënë në pranga gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në një grup të organizuar të trafikimit dhe shpërndarjes së kokainës – në mesin e të cilëve është edhe ish-ministri Astrit Haraqija.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, personat e arrestuar në kuadër të këtij aksioni janë: Astrit Haraqija, Jeton Stanovci (42-vjeçar), Albana Xhemajli-Ramadani (26-vjeçare), Alban Maloku (30-vjeçar), Gëzim Feka (38-vjeçar), si dhe Baftije Feka, e cila fillimisht ishte në kërkim policor. Të gjithë të dyshuarit, me vendim të Prokurorisë, janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Çfarë u sekuestrua gjatë bastisjeve?
Gjatë kontrolleve të realizuara nga Policia e Kosovës, është sekuestruar pasuri dhe material dëshmues me vlerë të përgjithshme rreth 301 mijë euro, përfshirë:
Narkotikë dhe armatim: Rreth 1.6 kilogramë kokainë, një armë zjarri, municion dhe pajisje të dyshuara për paketimin e drogës;
Automjete luksoze: Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan;
Para dhe sende me vlerë: Rreth 16 mijë euro para të gatshme, ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, si dhe telefona e pajisje të tjera elektronike.
Ndonëse roli konkret i secilit prej të dyshuarve ende nuk është bërë publik nga organet e hetimit, burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë bastisjes në shtëpinë e ish-ministrit Astrit Haraqija nuk është gjetur asnjë substancë narkotike apo send inkriminues, përveç 7 mijë eurove para të gatshme.
Haraqija ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në veprimtarinë e dyshuar kriminale. Sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, ai ka treguar bashkëpunim të plotë me hetuesit, duke ua vënë në dispozicion edhe fjalëkalimet e telefonave të tij. Ai ka pranuar se ka njohje dhe miqësi shumëvjeçare me njërin prej të arrestuarve, por ka mohuar çdo ndërlidhje me trafikimin apo shpërndarjen e narkotikëve.
Reagimi i mbrojtjes: “Paratë e sekuestruara janë kursime të fëmijëve”
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, avokati i Haraqijës, Korab Bokshi, deklaroi se klientit të tij nuk i ishte komunikuar arsyeja konkrete e ndalimit në momentin e arrestimit dhe se ka paraqitur ankesë ndaj masës së ndalimit prej 48 orësh.
“Klienti im është figurë publike dhe mund të ketë pasur rast të takohet me ndonjërin prej personave të përfshirë në këtë rast, por ai drejtpërdrejt mohon komunikimet dhe ndërlidhjet me këtë vepër penale”, u shpreh Bokshi, duke shtuar se mjetet monetare të sekuestruara janë kursime të fëmijëve dhe familjarëve, të cilat do të dëshmohen me dokumentacion përkatës.
Hetimet nga organet e drejtësisë po vazhdojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa të gjithë të dyshuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali