Gjashtë vjet në paraburgim, shteti e katërshja e UÇK-së me sytë tek Apeli

Gjashtë vjet në paraburgim, shteti e katërshja e UÇK-së me sytë tek Apeli

Written by

in

Sot janë bërë 6 vjet prej kur Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në paraburgim në Hagë. Gati 2 muaj nga aktgjykimi i shkallës së parë, tashmë janë bërë hapat e parë në Kosovë në funksion të përgatitjes së mbrojtjes dhe rrëzimit të tij në Apel.

Një prej simptomave të drejtësisë kosovare e ka marrë me vete edhe Gjykata Speciale, institucion kosovar i vendosur në Holandë.

Këtë të enjte janë mbushur gjashtë vjet nga dita kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u paraburgosën – e 72 muaj më vonë, ndaj tyre ka vetëm një verdikt nga shkalla e parë.

Mbajtja e gjatë në paraburgim refuzimi i vazhdueshëm për masa të tjera sigurie nga Gjykata, por edhe procedurat gjyqësore të stërzgjatura, kulmuan me verdiktin e rëndë – që i dënoi ata me 81 vjet burgim.

Procesi, sipas Vlora Çitakut, ka vënë në pikëpyetje vet historinë e UÇK-së dhe rrugën e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.

“Por historia jonë nuk fillon në sallat e gjyqit në Hagë. Dhe nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim!,”ka shkruar tutje Çitaku, deputete e ushtruese detyrës së kryetares së PDK-së, që ka përmendur punën që po bëhet në strategjinë shtetërore e ndryshimet në ligjin për specialen.

Sot, në Kuvend fjalën e mori edhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, i cili tha se katërshja, u dënuan për shkak të posteve politike që ata kishin bartur.

“….Kjo ka vetëm një arsye, duan t’i përlyejnë dhe baltosin objektivat e UÇK-së, objektivat e kësaj drejtorie politike, të cilat ishin të njëjta ndër breza, liria dhe pavarësia e Kosovës, liri kjo e pavarësi që u arritën me shumë mund e gjak”, ka thënë deputeti i PDK-së Altin Krasniqi.

Dënimi me 81 vjet burgim për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u pasua me reagim të ashpër qytetar, e me nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Specialen, por që pas miratimit, po me kërkesë të kësaj partie u kthye në Kuvend për rishqyrtim.

Njëkohësisht, qeveria ka themeluar Grupin Punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit, që javën e kaluar mbajti takimin konstituiv, e këtë të shtunë mban takimin e ardhshëm, por kryesuesi tha se ato do të jenë konfidenciale, duke e sqaruar arsyet.

“Për shkak të natyrës së qëllimeve që don me arritë ky grup strategjik, qëllimi është që me e fituar rastin, me e fituar rastin në procesin e apelit, që është e cila diskutohet aty edhe qëllimet tona janë shumë të ndjeshme, edhe në kuptimin vendor, por edhe në kuptimin ndërkombëtar, kështu që kisha kërkuar një mirëkuptim nga mediat që ajo se si do të zhvillohet”, ka thënë zëvendëskryeministri, Glauk Konjufca.

Paralelisht me themelimin e Grupit, nga ekzekutivi është përmendur edhe rritja e buxhetit për mbrojtjen e tyre, para se verdikti të shqyrtohet në Apel./Tv Dukagjini/