“Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim. Do të shihemi prapë, do të dalim faqebardhë. Ky është premtimi im për ju”
Ky ishte mesazhi i Hashim Thaçit në konferencën për media, gjashtë vjet më parë, kur njoftoi dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës dhe nisjen drejt Hagës, për t’u përballur me Gjykatën Speciale.
Po atë ditë, drejt Hagës u nisën edhe Kadri Veseli e Rexhep Selimi, ndërsa atje i priste Jakup Krasniqi, i cili ishte arrestuar një ditë më parë.
Katër ditë pas arrestimit, katër krerët e UÇK-së dolën për herë të parë para gjykatës, ku u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
“E ritheksoj, akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës” Hashim Thaçi.
“Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, Kadri Veseli.
“Jam këtu pa të drejtë, unë duhet të jem në vendin tim, në familjen time” Jakup Krasniqi.
“Jam veç një çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kam përfunduar me gjeneralin Clark, me NATO-n” Rexhep Selimi.
Pas një procesi gjyqësor të shoqëruar me redaktime të shumta, seanca të mbyllura për publikun dhe kritika për mënyrën e zhvillimit të tij, krerët e UÇK-së u përballën me vendimin e shkallës së parë.
Ndërsa, në 6-vjetorin e arrestimit të tyre, bashkëluftëtarët shprehën pakënaqësitë para zyrave të Bashkimit Evropian në Prishtinë, përmes një aksioni simbolik.
Me mbishkrimin “Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale na masakroi të vërtetën”, OVL e UÇK-së kërkoi nga deputetët e Kuvendit që ta shfuqizojnë këtë gjykatë.
Në 6-vjetorin e arrestimit të katër krerëve të UÇK-së, pakënaqësi ndaj vendimit të shkallës së parë dhe punës së Gjykatës Speciale u shprehën edhe nga familjarët, bashkëpartiakët dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Burimi: RTKLive
