Pas një jave kërkimesh, është gjetur i pajetë në një kanal në zonën e San Zeno-s, në provincën e Brescias, 75-vjeçari shqiptar E.A, i cili ishte zhdukur më 21 nëntor.
Sipas raportimit të gazetës italiane Giornale di Brescia, ai jetonte prej rreth 20 vitesh në Itali, ndërsa banonte i vetëm në lagjen San Polo të Brescias.
Familjarët, ish-bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij kujdeseshin për të dhe kishin nisur kërkimet pasi kishin humbur kontaktet me të.
Detaji më prekës lidhet me telefonatën e fundit që 75-vjeçari kishte zhvilluar me familjarët, më 21 nëntor, rreth orës 19:21.
Gjatë bisedës ai kishte arritur të thoshte: “Kam rënë, jam i lagur”. Pas kësaj telefonate, nuk kishte dhënë më asnjë shenjë jete dhe telefoni i tij nuk ishte më i arritshëm, transmeton Telegrafi.
Kërkimet për gjetjen e shqiptarit u intensifikuan ditët e fundit, ndërsa në operacion u përfshinë edhe zjarrfikësit, të cilët përdorën helikopterin Drago për të kontrolluar zonat përreth.
Pajisja GPS e të moshuarit kishte sinjalizuar praninë e tij pranë varrezave të Folzanos dhe më pas në zonën rurale të San Zeno-s.
Trupi i pajetë u lokalizua në një kanal, pas disa ditësh kërkimesh në të njëjtën zonë.
Zbulimi ishte një goditje e rëndë për familjarët, të cilët u drejtuan menjëherë në vendngjarje pasi morën lajmin për gjetjen e një trupi, transmeton Telegrafi.
Pas nxjerrjes nga kanali, trupi u dërgua në spitalin Civile të Brescias, ku u krye identifikimi.
Në vendin e ngjarjes ndërhynë edhe Policia Lokale dhe karabinierët e sektorit të hetimeve shkencore, të cilët po kryejnë verifikimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
Deri më tani nuk janë bërë publike shkaqet e sakta të vdekjes së 75-vjeçarit shqiptar./Telegrafi/