Në shkurt të vitit 2024, më në fund erdhi momenti: fluturimi i parë testues i avionit luftarak të padukshëm KAAN. Avioni ishte “Made in Turkey”. Vetëm motori vazhdon të sigurohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, industria turke e mbrojtjes ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm. Jo vetëm që dronët luftarakë dhe zbulues Bayraktar janë prej kohësh një sukses në tregjet e eksportit, por edhe raketat e drejtuara dhe korvetat, anije të vogla luftarake, po tërheqin interes ndërkombëtar.
Kjo ka zgjuar interesin si të vendeve që investojnë në armatim, si Gjermania, ashtu edhe të kompanive gjermane. Për vite me radhë, Gjermania e pati të vështirë të vendoste nëse duhej të eksportonte armë në Turqi. Agresioni i Ankarasë ndaj vendeve fqinje dhe represioni ndaj popullsisë së saj kishin më shumë peshë sesa partneriteti brenda NATO-s.
Turqiae shfrytëzoi këtë periudhë për të zhvilluar sistemet e veta të armatimit, të cilat tashmë janë bërë konkurruese në nivel ndërkombëtar dhe tërheqëse për aleatët. Për këtë arsye, Konferenca e katërt Ekonomike Gjermano-Turke në Ankara iu kushtua tërësisht bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe të sigurisë. Synimi i deklaruar i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit ekzistues dhe eksplorimi i mundësive për partneritete të reja.
Bizneset duan të bashkëpunojnë
Florian Gleich nga kompania Renk Germany udhëtoi posaçërisht në Ankara për këtë ngjarje. Renk, me seli në Augsburg, është një nga prodhuesit më të mëdhenj në këtë sektor dhe, ndër të tjera, prodhon sisteme transmisioni për tankun Leopard 2.
Më parë, kompania furnizonte produkte edhe për Turqinë, por më pas qeveria federale gjermane vendosi kufizime ndaj eksporteve. Që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar në Turqi, thotë menaxheri i Renkut, Florian Gleich.
“Dallimi i madh krahasuar me të kaluarën është se nuk kemi më një marrëdhënie blerës-shitës, por një partneritet. Ne duam të bashkëpunojmë. Ne kemi ekspertizën, ndërsa Turqia ka kapacitetet prodhuese”, thotë ai.
Interes i madh edhe nga pala turke
“Made in Germany” mbetet sinonim i cilësisë dhe, përmes partneriteteve me kompanitë gjermane, Turqia do të mund të fitonte qasje në tregje të reja, për shembull në Afrikë, thotë Şevket Ünal, zëvendëspresident për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar në Havelsan.
Kompania e tij zhvillon robotë ushtarakë të telekomanduar, të mbështetur nga inteligjenca artificiale, si mjeti i blinduar i lehtë Barkan, por edhe zgjidhje softuerike. “Në Gjermani, për shembull, ka kantierë të mëdhenj detarë ku ndërtohen anije luftarake me sisteme të caktuara softuerike. Megjithatë, Gjermania nuk ka një softuer të vetin për këto sisteme. Ne, si Havelsan, mund ta zhvillojmë atë së bashku me Gjermaninë dhe më pas të depërtojmë bashkërisht në tregun global”, thotë ai.
Një parakusht i rëndësishëm mbetet besimi i ndërsjellë. Fjala “besim” u përsërit më shumë se çdo term tjetër gjatë konferencës. Bashkëpunimi industrial bazohet në kontrata, tha ambasadorja gjermane në Turqi, Sybille Katharina Sorg, por bashkëpunimi strategjik industrial bazohet në besim.
“Në besimin se teknologjitë do të mbrohen dhe se marrëveshjet do të respektohen. Në besimin se partnerët do të mbeten të parashikueshëm. Gjithashtu, në besimin se objektivat tona strategjike janë të harmonizuara me njëri-tjetrin.” Sorg theksoi se shqetësimet që ekzistojnë në Evropë lidhur me Turqinë nuk janë gjithmonë rezultat i keqkuptimeve apo i trajtimit të padrejtë. Sipas saj, ekzistojnë debate reale për shtetin e së drejtës, parashikueshmërinë politike dhe vendimet e politikës së jashtme.
Roli i veçantë i Turqisë në luftën në Ukrainë
Kjo sjell në vëmendje rolin e veçantë që luan Turqia brenda NATO-s në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Për shembull, Turqia nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë. Po ashtu, ka pasur kërcënime të përsëritura ndaj Greqisë, një tjetër anëtare e NATO-s.
Sipas Florian Gleich, këto janë çështje që duhen diskutuar dhe sqaruar në interes të bashkëpunimit dhe sigurisë: “Nga njëra anë, është e nevojshme të mbrohet ekspertiza. Kjo është qartësisht e rëndësishme për Gjermaninë. Nga ana tjetër, duhet të shohim se si Evropa në tërësi mund të armatoset më shpejt dhe më me efikasitet, si dhe të shkëmbejë përvoja. Nuk ka kuptim që secili të veprojë i vetëm.”
Konferenca në Ankara i dha një shtysë të re bashkëpunimit gjermano-turk në fushën e mbrojtjes, por njëkohësisht ngriti pritshmërinë që fjalët të shoqërohen me hapa konkretë sa më shpejt të jetë e mundur.
Şevket Ünal nga Havelsan paralajmëron se momenti duhet shfrytëzuar: “Ne mund të bashkëpunojmë shumë shpejt me kompanitë gjermane dhe të zhvillojmë projekte të përbashkëta në kohë të shkurtër. Megjithatë, nëse hasim pengesa që ngadalësojnë motivimin tonë, i gjithë projekti mund të ndalet po aq shpejt sa ka filluar.”
Interesi për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes është aktualisht i lartë në të dyja palët. Nga ana turke, ai është aq i madh sa që edhe ministri i Mbrojtjes, Yaşar Güler, mori pjesë në mbrëmjen përmbyllëse të konferencës.
Burimi: RTKLive
