
Gjermania pritet të lehtësojë procedurat për njohjen e diplomave të profesionistëve shëndetësorë të huaj, me qëllim përshpejtimin e punësimit dhe reduktimin e burokracisë.
Reforma përfshin mjekët, dentistët, farmacistët dhe mamitë që kanë përfunduar studimet jashtë Bashkimit Evropian.
Sipas ndryshimeve të miratuara nga Bundestagu më 26 mars 2026, provimi i njohurive profesionale do të jetë procedura standarde për mjekët, dentistët dhe farmacistët me diploma nga vende jashtë BE-së, ndërsa vlerësimi i ekuivalencës së diplomave përmes dokumentacionit do të mbetet alternativë.
Procedurat do të digjitalizohen, ndërsa autoritetet do të mund të kontrollojnë njohuritë e gjuhës gjermane edhe para përfundimit të vlerësimit të kualifikimeve profesionale.
Për mamitë, reforma parasheh mundësinë e zgjedhjes mes provimit të njohurive dhe një kursi përshtatjeje profesionale.
Sipas Ministrisë Federale të Shëndetësisë, ndryshimet synojnë të lehtësojnë integrimin e profesionistëve të huaj në sistemin shëndetësor, duke ruajtur standardet e cilësisë dhe sigurisë së pacientëve.
Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 nëntor 2026, pas miratimit të nevojshëm nga Bundesrati.
Ndryshimet mund të jenë me rëndësi edhe për profesionistët shëndetësorë nga Kosova që synojnë të punojnë në Gjermani. Megjithatë, njohja e diplomës nuk ua garanton automatikisht të drejtën e ushtrimit të profesionit, pasi duhet të plotësohen edhe kushtet për licencim dhe njohjen e gjuhës gjermane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Gjermania lehtëson njohjen e diplomave të mjekëve të huaj, ndryshimet hyjnë në fuqi më 1 nëntor appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali