
Gjermania do të zbatojë nga 1 janari 2027 një skemë të re të pensionit privat, përmes së cilës qytetarët do të mund të përfitojnë subvencione shtetërore deri në 540 euro në vit. Megjithatë, fondi standard i organizuar nga shteti nuk pritet të jetë i gatshëm në ditën e nisjes së reformës.
Sipas televizionit publik gjerman ARD, përmes platformës Tagesschau, modeli i ri i quajtur “Altersvorsorgedepot” synon të zëvendësojë sistemin e deritanishëm të pensionit privat Riester, i cili ndër vite është kritikuar për mënyrën e funksionimit.
Skema e re do t’u mundësojë qytetarëve të kursejnë për pensionin përmes investimeve në fonde indeksuese (ETF), fonde aksionesh dhe obligacione, duke përfituar njëkohësisht edhe mbështetje financiare nga shteti.
Si do të funksionojë subvencionimi?
Sipas rregullave të reja, shteti do të kontribuojë me 50 cent për çdo euro të kursyer nga qytetari, deri në një shumë prej 360 eurosh në vit.
Për shumën e kursyer nga 360 deri në 1.800 euro në vit, shteti do të shtojë edhe 25 cent për çdo euro të investuar. Në këtë mënyrë, subvencioni bazë mund të arrijë deri në 540 euro në vit.
Mbështetje shtesë është paraparë edhe për familjet. Për çdo fëmijë mund të përfitohen deri në 300 euro në vit, me kusht që prindi të kontribuojë të paktën 25 euro në muaj në skemë.
Fondi shtetëror pritet të vonohet
Pavarësisht se reforma do të nisë më 1 janar 2027, një nga komponentët kryesorë të saj nuk do të jetë i gatshëm në këtë datë.
Sipas Tagesschau, fondi bazë i organizuar nga shteti nuk pritet të jetë i disponueshëm në fillim të zbatimit të skemës. Ministria Federale e Financave është ende duke përgatitur rregulloren përkatëse, ndërsa në qarqet qeveritare përmendet mundësia që fondi të jetë gati më së hershmi gjatë verës së vitit 2027.
Deri në funksionalizimin e tij, qytetarët që dëshirojnë të përfitojnë nga skema e re do të duhet të shqyrtojnë ofertat e bankave, kompanive të sigurimeve dhe shoqërive private të investimeve.
Ndërkohë, Shoqata e Qendrave të Konsumatorëve në Gjermani i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave që ta përshpejtojë krijimin e fondit standard shtetëror. Sipas saj, ky fond do t’u ofronte qytetarëve më shumë transparencë, kosto më të ulëta dhe kushte më të qarta investimi.
Reforma synon ta bëjë kursimin privat për pleqëri më tërheqës dhe t’u mundësojë qytetarëve krijimin e një burimi shtesë të të ardhurave për vitet e pensionimit, krahas pensionit shtetëror.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali