Gjilani rrezikon ngrohjen e nxënësve dhe pacientëve – A po kurdiset tenderi milionësh për dru? (VIDEO)

Gjilani rrezikon ngrohjen e nxënësve dhe pacientëve - A po kurdiset tenderi milionësh për dru? (VIDEO)

Written by

in

Gjilani rrezikon ngrohjen e nxënësve dhe pacientëve - A po kurdiset tenderi milionësh për dru? (VIDEO)

Tash që temperaturat po bien dhe shkollat e institucionet shëndetësore kanë nevojë për ngrohje, Komuna e Gjilanit ende nuk ka arritur të sigurojë një kontratë për furnizim me dru zjarri.

Pavarësisht se fillimi i sezonit dimëror është i parashikueshëm, Komuna dosjen e tenderit në vlerë prej 1 milion e 172 mijë eurosh e kishte përgatitur tek më 16 tetor 2026, duke përdorur pikërisht mungesën e druve në shkolla si arsyetim për shkurtimin e afatit të tenderimit.

Por, në vend që të mundësonte konkurrencë sa më të gjerë dhe furnizim të shpejtë, Komuna vendosi një sërë kriteresh që po kontestohen për kufizim të konkurrencës.

Informacionet e siguruara nga Kiks Kosova ngrenë dyshime se disa prej këtyre kritereve mund të jenë vendosur për të favorizuar një operator të caktuar ekonomik ose për ta çuar procedurën e hapur drejt dështimit, duke krijuar terren për kontraktim përmes negocimit.

Një prej kritereve më të diskutueshme është kërkesa që kompanitë të posedojnë paraprakisht në depo jo më pak se 8 mijë metra katrorë dru, stok i cili duhet të verifikohet nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës.

Sipas burimeve të Kiks Kosova, një stok të tillë nuk e posedon asnjë kompani, jo vetëm në Gjilan, por në tërë Kosovën.

Nga krahasimi i dokumentacionit, Kiks Kosova ka evidentuar se as vetë Komuna e Gjilanit, në vitin 2024, nuk kishte kërkuar një stok të tillë, nuk kishte kërkuar depo brenda Gjilanit dhe as vërtetim nga Inspektorati Qendror Pyjor për mungesën e procedurave të ngritura për dëme pyjore.

Kërkesa të ngjashme për stokun dhe lokacionin e depos nuk figurojnë as në tenderët e shqyrtuar të komunave të tjera, përfshirë Prizrenin dhe Pejën, Kamenicë, Ferizaj, etj

Komuna fillimisht kishte kërkuar edhe licencë për shfrytëzimin e qëndrueshëm të pyjeve, duke rrezikuar përjashtimin e kompanive që merren me importimin dhe tregtimin e ligjshëm të druve. Vetëm pas kundërshtimeve të operatorëve ekonomikë, Komuna e largoi këtë kërkesë, por këmbënguli në kriteret e tjera të kontestuara.

Ndërkohë, pas ankesës së kompanisë Evergreen Timber në Organin Shqyrtues të Prokurimit, më 13 nëntor aktiviteti i prokurimit është pezulluar.

Kështu, tenderi të cilin Komuna e kishte cilësuar urgjent, tashmë është bllokuar pas kundërshtimeve ndaj kritereve që vetë ajo kishte vendosur.

E derisa procedurat zvarriten, pasojat rrezikojnë t’i bartin nxënësit dhe pacientët.

Drejtori i Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, në një prononcim për Kiks Kosova para disa ditësh, kishte konfirmuar se Komuna po merrte dru nga shkollat që kishin rezerva më të mëdha për t’i dërguar në shkollat e tjera.

Ndërsa drejtoresha e shëndetësisë, Mimoza Kadriu, kishte pranuar per Kiksin se Shtëpitë e shëndetit nuk kishin ngrohej.

Kiks Kosova i është drejtuar Komunës së Gjilanit me pyetje konkrete lidhur me kriteret e tenderit milionësh, por Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Përse Komuna e vonoi tenderin deri në prag të dimrit dhe përse këmbënguli në kritere që dyshohet se nuk mund t’i përmbushë asnjë kompani? A po krijohet një emergjencë që më pas mund të përdoret si arsyetim për kontraktim me negocim?

Dhe mbi të gjitha, a po rrezikohet ngrohja e nxënësve dhe pacientëve për t’i hapur rrugën favorizimit të një kompanie në një kontratë milionëshe?

Komuna e Gjilanit vazhdon të heshtë.