Gjini kritikon Qeverinë për energjinë, ekonominë dhe mungesën e investimeve

Gjini kritikon Qeverinë për energjinë, ekonominë dhe mungesën e investimeve

Written by

in

Aleanca ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e sektorëve kryesorë të vendit, duke ngritur shqetësime për situatën energjetike, mungesën e investimeve në infrastrukturë dhe gjendjen ekonomike.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Aleancës, kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, ka thënë se Kosova po përballet me një situatë të rëndë energjetike, për të cilën përgjegjësinë ia ka atribuuar Qeverisë.

Duke komentuar vendimin për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia, Gjini ka thënë se ky vendim është përpjekje për t’ua hedhur hi syve qytetarëve, pasi, sipas tij, kompanitë që janë të licencuara në Kosovë për import dhe transmetim të energjisë janë me origjinë serbe ose të kontrolluara nga Serbia.

Ai ka deklaruar se Qeveria ka anuluar projekte që do të mundësonin rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë në vend. Ka përmendur, ndër të tjera, projektin e gazit amerikan dhe investimet për rritjen e kapaciteteve energjetike, duke paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet e varur nga importi.

Kritika ka adresuar edhe për investimet në infrastrukturë, veçanërisht për projektin strategjik të hekurudhës Prishtinë–Durrës.

Gjini ka thënë se Kosova është zotuar për realizimin e studimit të fizibilitetit për pjesën e saj të projektit, por në projektbuxhet, sipas tij, nuk janë ndarë mjete për këtë qëllim. Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit dhe lidhjen me Portin e Durrësit.

Sipas tij, në mungesë të financimit për këtë fazë, projekti rrezikon të mos shënojë përparim as gjatë viteve 2027 dhe 2028.

Kryetari i AAK-së ka kritikuar gjithashtu ndarjet buxhetore për projektet e tjera infrastrukturore, duke thënë se me një apo dy milionë euro nuk mund të përfundojnë projekte që kërkojnë investime prej dhjetëra apo qindra milionë eurosh.

Ai ka vlerësuar se gjendja është e rëndë edhe në shëndetësi, arsim dhe prodhimtarinë vendore. Duke iu referuar bilancit tregtar, Gjini ka thënë se importi është shtatë deri në tetë herë më i madh se eksporti, ndërsa ka akuzuar Qeverinë se me politikat e saj po i dëmton prodhuesit vendorë.

Ndërkaq, lidhur me Gjykatën Speciale, Gjini ka thënë se anulimi i ligjit për këtë gjykatë ka qenë gabim.

Burimi: RTKLive