Gjini publikon shifrat, alarmon për borxhet e familjeve: Kreditë janë rritur për 169.6% që nga viti 2021

Gjini publikon shifrat, alarmon për borxhet e familjeve: Kreditë janë rritur për 169.6% që nga viti 2021

Written by

in

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka ngritur shqetësimin për rritjen e kredive të ekonomive familjare në Kosovë dhe ngarkesën financiare me të cilën po përballen qytetarët.

Përmes një postimi, Gjini ka thënë se të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë se nga janari i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2026, vlera e kredive të ekonomive familjare është rritur nga 1.315 miliardë euro në 3.546 miliardë euro.

Sipas tij, kjo paraqet një rritje prej 169.6 për qind, apo më shumë se 2.2 miliardë euro kredi shtesë brenda më pak se gjashtë vjetësh.

Gjini ka veçuar edhe të dhënat për nivelin e ngarkesës së huamarrësve me borxhe, sipas të cilave 29.2 për qind e huamarrësve të analizuar shpenzojnë të paktën gjysmën e të ardhurave të tyre mujore për shlyerjen e kredive.

Prej tyre, 17.7 për qind shpenzojnë nga 50 deri në 75 për qind të të ardhurave mujore për këstet e kredive, ndërsa 11.5 për qind kanë detyrime që arrijnë të paktën 75 për qind të të ardhurave, e në disa raste edhe i tejkalojnë ato.

Kreu i AAK-së ka ngritur pikëpyetje se sa para u mbeten familjeve për të përballuar shpenzimet e tjera të jetesës, përfshirë ushqimin, energjinë elektrike, barnat dhe nevojat e fëmijëve.

Ai ka theksuar se rritja e kredive mund të lidhet edhe me investimet në patundshmëri dhe nevoja të tjera zhvillimore, por sipas tij, mbetet e rëndësishme të kuptohet se sa familje po marrin kredi për investime dhe sa prej tyre po detyrohen të huazojnë për të përballuar koston e jetesës.

“Këta tregues kërkojnë përgjigje konkrete për koston e jetesës, fuqinë blerëse dhe sigurinë financiare të qytetarëve”, ka shkruar Gjini.

Ai ka shtuar se rritja ekonomike duhet të përkthehet në mirëqenie reale, mundësi zhvillimi dhe një jetë më të përballueshme për qytetarët.