Konsum më i ulët i karburantit, më shumë autobusë në qarkullim dhe ulje e ndjeshme e borxheve të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik (NTP) Shkup. Këto janë disa nga rezultatet që prezantoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, gjatë paraqitjes në emisionin „Klik Plus“ në TV21, duke folur për punën e ndërmarrjes publike të transportit.
Gjorgjievski theksoi se, krahasuar me vitin e kaluar, NTP-ja disponon të paktën 50 autobusë më shumë në qarkullim, ndërsa njëkohësisht është realizuar kursim prej rreth gjysmë milioni euro për karburant.
Ai nënvizoi se këto të dhëna nuk janë të rastësishme, por bazohen në gjendjen faktike në ndërmarrje dhe në informacionet e marra nga udhëheqësia dhe ekipi menaxhues i NTP-së.
Kryetari i Shkupit foli edhe për gjendjen financiare të ndërmarrjes, duke theksuar se borxhi, i cili më parë arrinte në rreth katër miliardë denarë, tani është zvogëluar në afërsisht 750 milionë denarë.
Gjatë bisedës u hap edhe çështja e keqpërdorimeve të mundshme dhe menaxhimit joekonomik të karburantit në NQP, veçanërisht pas problemeve të mëparshme me furnizimin me naftë, kur ndërmarrja kishte nevojë për ndihmën e Qytetit dhe Qeverisë.
I pyetur nëse ekzistojnë dyshime për keqpërdorime apo menaxhim të papërshtatshëm të konsumit të karburantit, Gjorgjievski u përgjigj se mund të bëhet fjalë për një kombinim të të dyjave, por theksoi se ai nuk është organ hetimor dhe se parregullsitë eventuale duhet t’i konstatojnë institucionet kompetente.