
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nebi Alshiqit, zyrtarit të Komunës së Prishtinës që dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe marrje ryshfeti, në kuadër të hetimeve për një parcelë në Veternik që dyshohet se është përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Në vend të paraburgimit, gjykata ka caktuar ndaj tij masën e ndalimit për t’iu afruar vendeve të caktuara, si dhe detyrimin për t’u paraqitur në stacionin policor. Masat do të jenë në fuqi për një muaj, nga 13 tetori deri më 13 nëntor 2026.
Sipas njoftimit të gjykatës, Alshiqi obligohet të mos i afrohet në distancë prej 200 metrash Komunës së Prishtinës, përkatësisht vendit të tij të punës, si dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Gjykata ka paralajmëruar se në rast të mosrespektimit të masave të shqiptuara, ndaj tij mund të caktohet masa e paraburgimit. Po ashtu, Policia e Kosovës është obliguar të verifikojë zbatimin e tyre dhe ta informojë gjyqtarin e procedurës paraprake në rast të shkeljeve.
Sinjali raportoi ekskluzivisht më 13 tetor se hetimet për një parcelë në Veternik, e cila dyshohet se është përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara, kishin çuar edhe te një zyrtar i Komunës së Prishtinës.
Burimet e Sinjalit bënë të ditur se Alshiqi ishte shoqëruar për intervistim në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, zbulimin e fshehtësisë zyrtare dhe marrjen e ryshfetit, si dhe bashkëkryerjen dhe ndihmën.
Rasti po hetohet që nga viti i kaluar nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda. Gjatë kësaj periudhe, janë arrestuar edhe disa persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në përvetësimin e parcelës në Veternik përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, Alshiqi ishte intervistuar në prani të avokates së tij dhe kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje. Gjatë veprimeve hetimore, atij i ishin sekuestruar një telefon celular i markës Samsung dhe katër dorëshkrime nga një bllok shënimesh. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai ishte ndaluar për 48 orë.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa palët e pakënaqura me vendimin e gjykatës kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Gjykata ia ndalon afrimin te Komuna e Prishtinës dhe Kadastra zyrtarit të dyshuar për ryshfet appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali