Gjykatësja bllokon përkohësisht planin e Trumpit për mbylljen e një fushe golfi në Washington

Gjykatësja bllokon përkohësisht planin e Trumpit për mbylljen e një fushe golfi në Washington

Written by

in

Një gjykatëse federale ka bllokuar përkohësisht vendimin e administratës amerikane për mbylljen e një fushe historike golfi dhe parkut përreth saj në Washington DC, ku presidenti Donald Trump planifikonte të kryente rinovime të mëdha.

Gjykatësja federale Ana Reyes, e cila prej muajsh po shqyrton kundërshtimin ligjor ndaj planeve të presidentit për fushën “East Potomac Golf Links”, ka vendosur se Trump nuk mund ta mbyllë parkun dhe fushën e golfit. Megjithatë, ajo theksoi se administrata nuk është e detyruar të vazhdojë menaxhimin aktiv të tyre.

Trump, i njohur si pasionant i golfit, ka deklaruar se rinovimi i fushës 106-vjeçare do ta shndërrojë atë në “njërën prej fushave më të mira dhe më spektakolare të golfit kudo në botë”. BBC ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për një koment lidhur me vendimin.

Në tetor, presidenti e cilësoi fushën aktuale si “Ishulli i Mbeturinave” dhe njoftoi se ajo do t’i nënshtrohej një rinovimi 15-mujor. Sipas tij, projekti do të krijonte një hapësirë që do të mbetej e hapur për publikun, por njëkohësisht do të kishte standarde të larta dhe do të mund të priste turne të nivelit botëror.

Vendimi i gjykatëses Reyes, i publikuar të shtunën në një dokument prej 30 faqesh, thekson se arsyetimet e administratës Trump për mbylljen e propozuar ishin vetëm një pretekst. Ajo konstatoi se qeveria kishte shkelur të paktën dy ligje federale për të përmbushur një afat kohor të vendosur në mënyrë arbitrare.

“Qeveria propozon mbylljen e një parku historik, të cilin banorët e Washingtonit, nga të gjitha shtresat shoqërore, e shfrytëzojnë çdo ditë, dhe atë për një periudhë të pacaktuar”, shkroi Reyes, transmeton Telegrafi.

Ajo shtoi se mbyllja bie ndesh me interesin publik për shfrytëzimin e hapësirave që janë pjesë e parqeve kombëtare. Sipas gjykatëses, administrata nuk kishte paraqitur ndonjë dëm të besueshëm që mund t’i shkaktohej nga një urdhër i përkohshëm për ruajtjen e gjendjes ekzistuese deri në vazhdimin e procedurave gjyqësore.

Urdhri i saj do të jetë në fuqi deri më 28 nëntor. Përplasja ligjore nisi në shkurt, kur organizata “DC Preservation League” dhe palë të tjera paditën administratën për planet e rizhvillimit të parkut.

Fusha historike, e vendosur rreth tre kilometra në jug të Shtëpisë së Bardhë, është njëra prej tri fushave publike të golfit që menaxhohen nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare (NPS) në kryeqytetin amerikan.

Çështja u përshkallëzua në tetor, kur NPS-ja nisi prerjen e qindra pemëve pa e njoftuar paraprakisht gjykatësen Reyes. Ajo u informua vetëm 15 orë para fillimit të punimeve.

Pas prerjes së pemëve, gjykatësja urdhëroi administratën Trump që t’i ndërpriste punimet deri të paktën më 26 tetor dhe që ta njoftonte atë tri ditë pune përpara çdo ndryshimi tjetër të përhershëm në park.

Pavarësisht pezullimit të punimeve, Trump njoftoi se fusha do të mbyllej për 15 muaj, duke filluar nga 15 nëntori, për t’u mundësuar rinovimet. Ai publikoi gjithashtu një pamje ilustruese të projektit të ri.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, presidenti pretendoi se fusha aktuale ishte e vjetër, e dëmtuar dhe jashtë funksionit. Ai përmendi gjithashtu gjendjen e dobët të pemëve, të cilat sipas tij ishin të rrezikshme dhe të prekura nga sëmundjet, si dhe murin mbrojtës të bregut, për të cilin tha se po shembej.

Ndërkohë, Reyes ka nisur një hetim të veçantë për të përcaktuar nëse avokatët e Departamentit të Drejtësisë kanë paraqitur informacione të pasakta në gjykatë ose kanë shkelur rregullat etike.

Hetimi përfshin shqyrtimin nëse njoftimi i vonuar për planet e rinovimit ishte bërë qëllimisht dhe në keqbesim, si dhe nëse avokatët kishin dështuar të korrigjonin deklarata të mëparshme të pasakta apo kishin fshehur informacione.

Gjykatësja tha se këtë proces do ta zhvillojë me ndihmën e një eksperti të posaçëm të pavarur, i cili do të shqyrtojë veprimet e përfaqësuesve ligjorë të qeverisë. /Telegrafi/