
Pelegrinët që ndodhen në Arabinë Saudite për të vizituar vendet e shenjta të besimit Islam, sivjet nuk e kishin parashikuar se do të përballeshin me rrezikun nga sulmet e grupit të rebelëve Huthi nga Jemeni.
Disa prej pelegrinëve i kanë përjetuar drejtpërdrejt sulmet e kryera nga rebelët në Arabinë Saudite, ndërsa të tjerë janë detyruar të ndryshonin planet e tyre.
Pamjet e shpërthimit të fuqishëm, i cili vrau 13 persona dhe plagosi 300 të tjerë në terminalin e nisjeve të aeroportit të Riadit, të goditur nga një raketë e Huthive të shtunën, tregonin shumë pasagjerë të veshur me rrobat e thjeshta të bardha të pelegrinëve myslimanë që udhëtonin drejt Mekës.
Sipas Reuters, mediat saudite raportuan se një imam nga Bangladeshi, i cili drejtonte një grup prej dhjetëra pelegrinësh, humbi jetën, ndërsa të tjerë mbetën të plagosur gjatë sulmit.
Ndonëse, Huthit janë zotuar se nuk do të sulmojnë as Mekën dhe as Medinën, dy vendet më të shenjta të Islamit që tërheqin miliona pelegrinë çdo vit, ata po shënjestrojnë aeroporte të tjera saudite, në atë që e cilësojnë si hakmarrje për sulmet saudite ndaj tyre.