
Mbi 1.3 milion pajisje Android TV janë përfshirë në një rrjet të madh kriminal kibernetik, pasi prodhuesi i tyre dyshohet se kishte instaluar qëllimisht programe keqdashëse në to, për të përfituar financiarisht nga aktivitetet kriminale. Rrjeti është zbuluar dhe çaktivizuar nga Google në bashkëpunim me disa kompani të sigurisë kibernetike dhe autoritetet japoneze.
Sipas raportimit të Google, rrjeti i njohur si “XCPE” përfshinte më shumë se 1.3 milionë pajisje, kryesisht pajisje Android TV të tipit TV Box, të shpërndara në mbi 200 shtete.
Pas këtij operacioni dyshohet se qëndron kompania kineze Videostrong Technology Co., prodhuese e pajisjeve Android, për të cilën Google thotë se kishte zhvilluar dhe instaluar qëllimisht një program keqdashës të fshehur në sistemin e pajisjeve.
Ky program, i njohur si “XCPE”, ishte i integruar në softuerin bazë të pajisjeve përpara se ato të dilnin në shitje. Si rrjedhojë, përdoruesit i blinin dhe i lidhnin pajisjet me internetin e tyre pa pasur dijeni se ato ishin pjesë e një rrjeti të kontrolluar nga persona të tjerë.
Google vlerëson se Videostrong kishte përfituar duke u shitur grupeve kriminale qasje në pajisjet e infektuara, të cilat më pas përdoreshin për aktivitete të ndryshme të paligjshme.
Përmes tyre kryheshin mashtrime me reklama, mblidheshin të dhëna nga pajisjet dhe krijoheshin rrjete që lejonin persona të tjerë të përdornin lidhjet e internetit të viktimave për të fshehur aktivitetin e tyre në internet.
Pajisjet e infektuara shfrytëzoheshin gjithashtu për instalimin e programeve të tjera keqdashëse, pa dijeninë dhe pëlqimin e pronarëve të tyre.
Sipas Google, programi ishte projektuar në atë mënyrë që të shmangte kontrollet e sigurisë. Prodhuesi kishte përdorur teknika për ta instaluar kodin keqdashës pas ndezjes së parë të pajisjes, duke shfrytëzuar një dobësi në procesin e verifikimit të sigurisë.
Pas zbulimit të rastit, Google ndërmori veprime ligjore për çaktivizimin e domeneve dhe serverëve që kontrollonin rrjetin, si dhe ndërpreu bashkëpunimin me kompaninë Videostrong. Kjo e fundit u ndalua nga prodhimi dhe shitja e pajisjeve të certifikuara Android me aplikacione të parapërfshira të Google-it.
Kompania bëri të ditur se veprimi i përbashkët me partnerët e saj mund të ndërpresë qasjen edhe në të paktën 10 milionë pajisje të tjera të komprometuara, të cilat ishin të lidhura me grupe të tjera kriminale që përdornin të njëjtën infrastrukturë.
Në operacion morën pjesë edhe Agjencia Kombëtare e Policisë së Japonisë, si dhe kompanitë Lumen, HUMAN Security, Plume, Synthient dhe TrendAI.
Google ka njoftuar gjithashtu se do të forcojë kontrollet e sigurisë për pajisjet Android TV, në mënyrë që të parandalojë raste të ngjashme në të ardhmen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali