Ish-deputetja shqiptare dhe prezantuesja e emisionit “Top Story” në Top Channel, Grida Duma, do të mbajë një masterklasë dyditore në Cyrih të Zvicrës, më 14 dhe 15 nëntor 2026.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Duma ka njoftuar për këtë aktivitet, i cili do të jetë i përqendruar te zhvillimi personal dhe profesional, lidershipi, vendimmarrja dhe komunikimi strategjik.
“Vendimet e tua sot përcaktojnë ndikimin tënd nesër. Mos e lër suksesin tënd në dorë të rastësisë. Mëso strategjitë e lidershipit nga më e mira”, ka shkruar ajo, duke i ftuar të interesuarit të informohen më shumë rreth programit dhe regjistrimit.
Masterklasa do të mbahet në hotelin “Hilton Garden Inn, Zürich-Limmattal”, nga ora 10:00 deri në 16:00, gjatë të dy ditëve.
Dita e parë, më 14 nëntor, do t’i kushtohet trajnimit “Motivation Training”, me fokus te motivimi, tejkalimi i barrierave të brendshme, forcimi i vetëbesimit dhe përcaktimi më i qartë i objektivave personale dhe profesionale.
Ndërkaq, dita e dytë, e emërtuar “Elite Training”, do të përqendrohet te lidershipi efektiv, teoritë e vendimmarrjes, negocimi dhe imazhi i liderit, duke synuar zhvillimin e aftësive që ndikojnë në performancën dhe suksesin profesional.
Përveç sesioneve të trajnimit, programi përfshin edhe mundësi për rrjetëzim profesional (VIP networking), një takim me Grida Dumën (Meet & Greet), materiale trajnimi, catering premium dhe certifikatë pjesëmarrjeje.
Të gjitha detajet rreth masterklasës dhe rezervimeve janë publikuar në faqen zyrtare të aktivitetit, gridaduma.ch.