Manchester City triumfoi 3-0 në udhëtim ndaj rivalit të madh në “Anfield”, në një ndeshje ku Haaland kontribuoi edhe me golin e parë të takimit.
Sulmuesi norvegjez e cilësoi këtë sukses si një moment të veçantë për të gjithë ata që janë pjesë e klubit, duke vlerësuar karakterin dhe përkushtimin e skuadrës në një përballje të vështirë.
“Për çdo person që është pjesë e Manchester Cityt, si dhe për secilin tifoz, ky është një moment i mrekullueshëm që do të na mbetet gjatë në kujtesë”, deklaroi Haaland.
Ai pranoi se përballja në “Anfield” ishte e vështirë, por u shpreh krenar për mënyrën se si skuadra reagoi në fushë.
“Ishte e vështirë, por treguam karakter të jashtëzakonshëm nga mbrojtja deri te sulmi. Jam shumë krenar për të gjithë”, shtoi norvegjezi.
Haaland foli edhe për vështirësitë që sjellin ndeshjet në stadiumin e Liverpoolit, duke kujtuar se përballjet mes dy skuadrave kanë qenë gjithmonë të luftuara.
Sipas tij, çelësi për të kaluar periudhat e vështira është ruajtja e qetësisë, unitetit dhe përqendrimit te loja.
“Është gjithmonë e vështirë të luash këtu. Me Pepin dhe Kloppin në krye të skuadrave, këto përballje kanë qenë të vështira për të dyja palët. Është e rëndësishme të qëndrojmë të fortë mendërisht, të jemi të bashkuar dhe të përqendrohemi te gjërat që mund t’i kontrollojmë: të luajmë mirë dhe të luftojmë së bashku”, përfundoi Haaland.
Burimi: RTKLive
