Organizata HANDIKOS u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë parkingje të mjaftueshme dhe të qasshme për personat me aftësi të kufizuara në Prishtinë.
Përmes një postimi, HANDIKOS ka ngritur shqetësimin për largimin e dy parkingjeve pranë Hotel Grand, të cilat, sipas organizatës, ishin ndërtuar sipas standardeve për personat me aftësi të kufizuara.
“Pranë Hotel Grand, punimet e fundit kanë sjellë largimin e dy parkingjeve të vetme që ishin ndërtuar sipas standardeve për persona me aftësi të kufizuara”, thuhet në reagim.
Organizata ka theksuar gjithashtu se parkingjet e dedikuara në hapësira të tjera po shfrytëzohen si vendndalime për taksi, duke ua vështirësuar personave me aftësi të kufizuara përdorimin e tyre.
HANDIKOS u ka bërë thirrje institucioneve që të sigurojnë hapësira të mjaftueshme parkimi, në përputhje me standardet e qasshmërisë, si dhe të kujdesen që ato të përdoren për qëllimin për të cilin janë krijuar.
“Një qytet i qasshëm është një qytet ku secili mund të lëvizë me dinjitet dhe pavarësi”, ka theksuar organizata. /Telegrafi/