Haradinaj: Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit të Kurtit, pavarësisht sulmeve

Haradinaj: Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit të Kurtit, pavarësisht sulmeve

Written by

in

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e, siç i quajti ai, lojërave politike përmes takimeve me kryeministrin Albin Kurti.

Në një video të publikuar në Facebook, Haradinaj tha se Aleanca ka ngritur çështje që lidhen me sektorin e energjisë, tenderët njëburimorë dhe ndërhyrjet e pretenduara në prokurori, gjyqësor dhe institucione të pavarura.

Ai bëri të ditur se AAK-ja ka kërkuar interpelancë për situatën në sektorin e energjisë dhe për atë që e cilësoi si abuzim me tregtinë e energjisë.

“Aleanca s’u bë pjesë e lojërave me takime me Kurtin, Aleanca ka kërkuar interpelancë për situatën me energjinë, për abuzimet me tregti me energji. Kemi ngritur zërin për tenderët njëburimorë, për ndërhyrjet në prokurori, në gjyqësor dhe në të gjitha institucionet e pavarura të vendit”, deklaroi Haradinaj.

Duke komentuar sulmet ndaj partisë së tij, ai tha se ato nuk lidhen me emrin e tij, por me qëndrimin e Aleancës ndaj pushtetit.

“Sulmet që bëhen ndaj nesh nuk kanë të bëjnë me emrin dhe mbiemrin tim, por me faktin se Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit”, u shpreh ai.

Haradinaj shtoi se AAK-ja është treguar e kujdesshme që të mos e keqpërdorë tragjedinë e askujt dhe se, sipas tij, ka ruajtur vlerat e familjes shqiptare.

Ai pretendoi gjithashtu se sulmet dhe shpifjet ndaj partisë së tij po përdoren nga frika se qytetarët mund të dalin në rrugë për të kundërshtuar padrejtësitë.

“Asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi regjimit të Kurtit”, përfundoi Haradinaj.

Burimi: Dukagjini