
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n përbëjnë dy shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Haradinaj theksoi se vënia në dyshim e këtyre vlerave rrezikon, sipas tij, sigurinë kombëtare, lirinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Siguria jonë kombëtare rrezikohet kur ne nuk e mbrojmë vlerën që është në themel të ekzistencës sonë – UÇK-në. Nëse nuk e mbrojmë aleancën tonë me Amerikën dhe NATO-n, prapë rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare, lirinë tonë dhe sovranitetin tonë. Kush ka dilema për këtë, nuk jeton në këtë shekull”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai shprehu keqardhje që, sipas tij, në ditët e sotme janë vënë në dyshim vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
“Ne mbështesim çdo veprim në mbështetje të krerëve të UÇK-së — sado vonë, por më mirë vonë se kurrë. Është marre që kemi ardhur në këtë ditë: të kemi dilema se çfarë është në themel të ekzistencës sonë. Më vjen marre që unë, si pjesë e UÇK-së, duhet t’ua them këto fjalë – çdo njeri normal duhet ta dijë se në themel kemi UÇK-në dhe aleancën me Amerikën e NATO-n”, ka shtuar Haradinaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Haradinaj: Siguria jonë buron nga UÇK-ja dhe aleanca me SHBA-në, rrezikohet ekzistenca nëse nuk i mbrojmë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali