
Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli, ka deklaruar se stigma ndaj shëndetit mendor do të vazhdojë për aq kohë sa institucionet nuk investojnë mjaftueshëm në këtë fushë dhe nuk sigurojnë qasje më të lehtë në shërbimet psikologjike.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Havolli tha se, ndonëse vetëdijesimi për rëndësinë e shëndetit mendor është rritur, mungesa e profesionistëve në institucionet publike dhe zbatimi i pamjaftueshëm i politikave po e vështirësojnë trajtimin e problemeve psikologjike.
“Stigma ka me ekzistu për aq kohë sa nuk kemi psikologë në çdo institucion, në të gjitha nivelet e sektorit primar, sekondar dhe terciar”, deklaroi Havolli.
Ai theksoi se mungesa e psikologëve klinikë në institucionet publike i detyron shumë qytetarë t’u drejtohen shërbimeve private, të cilat jo të gjithë kanë mundësi t’i përballojnë financiarisht.
“Një individ i cili ka shqetësime psikologjike, ka probleme emocionale dhe ka nevojë të këshillohet me një psikolog klinik, e ka të vështirë të marrë shërbime në institucionet publike, për shkak të mungesës së psikologëve”, u shpreh ai.
Havolli paralajmëroi se, kur vështirësitë emocionale nuk identifikohen dhe trajtohen me kohë, ato mund të shfaqen më vonë përmes sjelljeve antisociale dhe dukurive të tjera shqetësuese.
“Identifikimi është hapi i suksesit. Nëse ne identifikojmë një vështirësi emocionale apo një sjellje jo të përshtatshme në fillim, mund të parandalojmë probleme të mëtejshme”, tha Havolli në Klan Kosova.
Ndiq intervistën e plotë: